Mosfurnizimi me armë nga BE nuk e lëndon shumë Turqinë
Nga Bernd Riegert
Gjermania dhe vende të tjera të BE kufizojnë eksportet e armëve për Turqinë dhe nuk do të lidhin marrëveshje furnizimi me armë në të ardhmen, në shenjë proteste kundër marshimit në Siri. A do të ketë kjo masë efekt?
Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian e kanë kritikuar ashpër ofensivën ushtarake të Turqisë në rajonet kurde në Siri dhe kanë kërkuar fundin e operacionit. Por fjalët e ashpra të ministrave të Jashtëm në takimin e Luksemburgut(14.10) pasohen nga vepra të vogla. Ministrat e Jashtëm ranë dakord vetëm që eksportet e armëve të “disa shteteve të BE” të ndalen në të ardhmen. “Qëndrimi i disa shteteve është se nuk do ta mbështesim këtë luftë, dhe prandaj nuk do të vëmë më armë në dispozicion”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.
Por ky vendim nuk nënkupton embargo të armëve. “Kjo do të kërkonte një kohë shumë të gjatë”, kanë thënë diplomatët europianë. Ndërsa në këtë formë kjo masë vihet në zbatim menjëherë nga vendet anëtare. Ministrat e Jashtëm nuk ranë dakord për sanksione ekonomike, ndryshe nga presidenti amerikan, Donald Trump, që bëri të ditur se në rast nevoje do ta shkatërronte ekonomikisht Turqinë. Por ishte Trump ai, që e bëri të mundur ofensivën turke përmes tërheqjes së trupave amerikane.
Masa të tjera nuk përjashtohen
E pyetur për qëndrimin e SHBA, nëse e dënon atë, e ngarkuara e BE për Politikën e Jashtme në largim, Federica Mogherini u shpreh, se “nuk dënoj asnjëherë”, por këto fjalë i pasoi një gjest nënvlerësues me një buzëqeshje kuptimplote. Që do të thotë, se ajo nuk e ka kuptuar ndryshimin e papritur të kursit të SHBA kundrejt kurdëve ose nuk mund ta mbështesë.
Franca kishte menduar në fillim të takimit për sanksione, por një gjë të tillë nuk e mbështetën shumica e ministrave të Jashtëm të BE. “Ka rëndësi që të mbetemi në dialog me Turqinë, për të pasur mundësi ndikimi, nëse kjo nuk sjell sukses, atëherë rezervojmë masa të tjera”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas. Nga ana ekonomike, Turqia është e lidhur ngushtë me BE. Për Turqinë BE është tregu më i madh. Shumica e investimeve aty vijnë nga vendet europiane dhe europianët megjithë krizat e shumta, përbëjnë numrin më të madh të turistëve që udhëtojnë drejt turqisë.
Nërkohë presidenti turk, Erdogan i ka hedhur poshtë kritikat. Ai tha, se do ta vazhdojë ndërhyrjen në Siri, pavarësisht, se çfarë thonë shtete të tjera. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar nga izolimi i plotë i një shteti anëtar. Turqia është shumë e rëndësishme nga ana gjeopolitike, tha Stoltenberg në Londër.
BE dhe Turqia
Edhe BE është e varur nga Turqia. Ajo bashkëpunon me këtë vend për të penguar ardhjen e migrantëve dhe refugjatëve nga Turqia në Greqi. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusolgu tha para dy ditësh në intervistë me Deutsche Welle, se mund të prishet marrëveshja e refugjatëve, nëse BE nuk ndihmon në zhvendosjen e refugjatëve sirianë në zonat e pushtuara në Sirinë Veriore. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn i hodhi poshtë kërcënimet. “Respekt për Turqinë, për atë se çfarë ka bërë për refugjatët sirianë”, tha ai në Luksemburg. “Por ky kërcënim, ky shantazh nuk është dinjitoz për një vend me statusin e kandidatit për anëtarësim. Ai kujtoi, se Turqia është vend anëtar i NATO-s.
Diplomatët europianë thonë, se ndalimi i furnizimit të Turqisë me armë është më shumë një akt simbolik. Franca, Gjermania, Suedia, Finlanda dhe Holanda, nuk duan të furnizojnë më Turqinë, thotë Asselborn, por “ky vend nuk i merr armët vetëm nga këto vende”. Kjo duhet thënë qartë. Gjermania për shembull eksporton pajisje të marinës në Turqi, pra armë, që nuk luajnë rol në luftën kundër kurdëve.
Në një pikë ishin dakord ministrat e Jashtëm, dënimin politik të ofensivës turke. Ajo rrezikon procesin e mundimshëm të paqes në Siri, sepse tani krijohen aleanca të reja mes kurdëve dhe pushtetmbajtësit, Bashar Al-Asad, thanë ata. Dalja nga burgjet e qindra luftëtarëve të IS-it, “Shtetit Islamik” që mendohet si i mundur është arsye për “shqetësim të madh”, tha komisionieri i BE për zgjerimin, Johannes Hahn. Megjithatë BE mbetet spektatore. “Ne nuk jemi angazhuar ushtarakisht dhe nuk kemi ndërmend të angazhohemi”, tha Hahn.
A është BE e pafuqishme? Me fjalën “pafuqi” duhet vepruar me kujdes, thotë Jean Asselborn. “Ne si europianë nuk jemi në gjendje ta ndalojmë këtë.” SHBA dhe Rusia duket i kanë dhënë leje presidentit turk për këtë ndërhyrje ushtarake. Si BE vetëm mund të presim. I ngarkuari i ri i BE për Politikën e Jashtme, Joseph Borrell kërkoi në Parlamentin Europian “një gjuhë të pushtetshme” nga BE në drejtim të Turqisë. Por për momentin kjo nuk ndjehet shumë./DW
Fraksion.com