AktualitetPolitikëTë fundit

U nxorri gishtin protestuesve, ambasadori Borchardt kërkon ndjesë publikisht

Kreu i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borschardt, kërkoi sot ndjesë publike ndaj qytetarëve që, si tha ai, mund të kishte fyer të dielën, teksa iu përgjigj duke ngritur një gisht thirrjeve të protestuesve ndaj tij.

Ambasadori Borchardt po shëtiste në fundjavë në mbrëmje kur befas u gjet në mesin e thirrjeve “Rama ik” dhe “Shame on you” në rrugën pranë drejtorisë së policisë së kryeqytetit, ku familjarët e disa të arrestuarve po protestonin për lirimin e njerëzve të tyre.

Zoti Borchardt ngriti lart gishtin e njërës dorë pa e kthyer kokën pas për të parë se kujt po i drejtohetj në fakt gjesti i tij.

“Unë e respektoj të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht. Do të doja t’u kërkoja sinqerisht ndjesë atyre që mund të kem fyer dje” – tha ambasadori Borchardt.

Ai u vu prej 24 orësh në qendër të kritikave të qytetarëve shqiptarë dhe politikanëve për gjestin e pazakontë për një diplomat karriere si në mediat vendase ashtu edhe në rrjetet sociale.

Kjo nuk është hera e parë që ambasadori Borchardt vihet në qendër të kritikave nga përkrahës të opozitës.

Të rinj veprimtarë të opozitës shkruan me bojë grafiti në hyrjen e pallatit ku ai banon në kryeqytet parrullën “Shame on you” pasi besonin se ai po mbante qëndrime por qeverisë gjatë debateve për krizën politike dhe proceset zgjedhore.

Opozita herë pas here ka publikuar deklarata, ku drejtpërdrejt ose jo shpreh kritika për rolin e ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri dhe lidhjet e tij të njëanshme në favor të qeverisë dhe në dëm të opozitës.

OSBE i ka hedhur poshtë këto akuza përmes deklaratave, ku mbron ambasadorin e saj në Tiranë, duke u shprehur se qëndrimet e tij dhe ndihma që ai jep në proceset politike në Shqpëri janë pjesë e programit të punës dhe angazhimeve të kësaj organizate në mbështetje të demokracisë dhe forcimit të institucioneve shqiptare.

 

 

Fraksion.com