Shkenca: Një fëmijë i porsalindur mund të ndryshojë jetën dhe trurin e babait
Humori dhe lëkundjet hormonale, stresi dhe dhjetëra ndryshime të papritura ndodhin në trupin e një gruaje kur ajo mbetet shtatzënë. Nga kjo situatë besohet se baballarët nuk ndikohen, sepse ata nuk i lindin fëmijët. Mirëpo, studimet e fundit tregojnë se megjithatë, burrat pësojnë ndryshime hormonale, neurologjike dhe në sjellje, kur ata mirëpresin fëmijën e porsalindur në jetë.
Më poshtë mund të mësoni se cilat ndryshime i pësojnë burrat gjatë shtatzënisë së partneres së tyre:
Niveli i testosteronit bie
Testosteroni është një hormon “mashkull” që është përgjegjës për zhvillimin e funksioneve riprodhuese mashkullore dhe motivimin e burrave për të gjetur partnere. Studimet kanë treguar që burrat me nivele më të larta të testosteronit kanë më shumë gjasa të jenë më tërheqës për gratë. Sidoqoftë, duket se nivelet e testosteronit tek baballarët e rinj mund të zbresin deri në 34%. Shkencëtarët besojnë se kjo mund të shpjegohet me faktin se burrat që sapo kanë mirëpritur fëmijët e tyre zhvendosin vëmendjen drejt familjes së tyre dhe i rezistojnë dëshirës për të kërkuar një partnere tjetër.
Nivelet e oksitocinës rriten
Shkencëtarët studiuan lidhjen mes përfshirjes së një babai të ri në aktivitetet e rritjes së fëmijëve me nivelin e tyre të hormoneve dhe arritën në një përfundim interesant. Ata baballarë që luanin aktivisht me fëmijët e tyre kishin nivele më të larta të oksitocinës në gjakun e tyre në krahasim me ata baballarët që ishin më pak të përfshirë. Oksitocina është një hormon që është përgjegjës për relaksimin, dashurinë, ndjenjat pozitive dhe lidhjen e fortë mes njerëzve dhe natyrisht rritet tek nënat e reja gjatë dhe pas lindjes së fëmijëve.
Truri i baballarëve ndryshon
Truri i meshkujve ndryshon njësoj si tek nënat e reja. Zonat e trurit të lidhura me aftësinë për të komunikuar me fëmijën aktivizohen njësoj si tek gratë. Truri i meshkujve përgatitet për shtatzëninë e gruas. Në këtë mënyrë baballarët përpiqen të krijojnë një lidhje mes tyre dhe fëmijës edhe pse meshkujt nuk lindin.