“Meta foli pa e lexuar Venecian”; Bushati: Nisma për shkarkimin e Presidentit së shpejti në Kuvend
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati e ka quajtur të nxituar reagimin e menjëhershëm të Presidentit të Republikës, Ilir Meta pas daljes së raportit përfundimtar të Komisionit të Venecias mbi çështjen e ligjshmërisë së aktit të tij për anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Në një intervistë televizive, pak pas daljes së këtij raporti, Bushati tha gjithashtu se Presidenti është palë në këtë proces dhe nuk i takon aspak të shprehet vetë mbi këtë dokument.
“Është shumë shpejt për të dhënë mendime konkluzive. Më çudit reagimi i Presidencës pa e lexuar. Ku e gjeti kohën për ta lexuar kaq shpejt?! Ky është paragjykim, aq më tepër që janë palë. Në draft janë 20 faqe, mbi 100 pika. Është shumë shpejt për të folur. Ndërkohë që, nga konkluzionet që shfletova, mendoj që është e qartë që, Presidenti ka thyer ligjin e Kushtetutën. Emergjenca nuk ka pasur, aq më tepër, që, as ligji nuk e shpjegon si veprohet në raste emergjence. Presidenti është palë. Nuk mund të shprehet vetë. Patjetër që do thotë “bëra mirë”! Të njëjtën gjë që ka bërë më parë,” shprehet Bushati.
Nga ana tjetër, ai thotë se kreu i shtetit mund t’i drejtohej vetë për opinion Venecias përpara se të ndërmerrte nismën për të cdekretuar datën e zgjedhjeve dhe caktimin e një date tjetër për votimet.
“E kemi kërkuar ne opinionin, jo Presidenti. Pse nuk e kërkoi Presidenti para se të anullonte zgjedhjet? Kishte kohë para se ta merrte vetë këtë hap. Ne si Parlament i kemi çuar kërkesën. Unë jam një nga 55 deputetë firmëtarët, përfaqësues të qetarëve që mendojmë se Presidenti, jo vetëm ka shkelur ligjin, por ka vendosur në themelet e demokracisë një dru të shtrembër. Nuk ka mbret sot në botë që mund të anullojë zgjedhjet,” deklaron Bushati, duke shtuar se, Komisioni për shkarkimin e Presidentit do të vijojë tashmë me procedurën, e cila do të shkojë së shpejti në Parlament për miratim.
“Patjetër që do vazhdojmë. Komisioni do t’i shkojë deri në fund. Kemi marrë konsultën e Venecias. Komisioni do e shqyrtojë. Do ia propozojmë Parlamentit dhe Parlamenti do vendosë,” shprehet më tej deputeti socialist.
Ervin Bushati ka folur edhe në lidhje me vendimin e pritshëm për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, për të cilin tha se nuk ka asnjë shenjë pesimizmi nga ana e qeverisë. Duke qenë se ai ka qenë në të gjitha takimet e zhvilluara para vendimmarrjes së Bundestagut Gjerman, deputeti socialist u shpreh se ka një pritshmëri akoma më pozitive, ndërsa për vendimin e Francës u shpreh se ka besim te Kancelarja Merkel, që është ndër lobueset kryesore për Shqipërinë, por sidoqoftë vendimi i Macron, nuk ka asnjë lidhje me vendin tonë.
“S’ka pesimizëm më këtë pikë. Unë isha në Berlin me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Ballë ku kemi bërë takime intensive javën që është votuar në Bundestag për Shqipërinë, votimi i vetëm politik, në BE. Nga e premtja Shqipërisë i është hapur politikisht dera e BE, sepse ka qenë votim i vështirë dhe i rëndësishëm. KiE ka vendosur që të rekomandojë hapjen e negociatave. Në tryezën e bisedimeve Merkel e Macron ku janë një sërë çështjesh, 102, është dhe Shqipëria. Mendoj që do fitojë llogjika e KiE dhe lobimi i Merkel. Jam vetë dëshmitar i këmbënguljes së saj dhe në Bundestag. Shqipëria i detyrohet asaj një vend të rëndësishëm në historinë e saj,” deklaroi Bushati./atsh
Fraksion.com