AktualitetTë fundit

“Ti qenke dashnori i kësaj”; Zbardhet dëshmia e shefit të sigurisë së burgut në Durrës: Çfarë ndodhi në shtëpinë e Marsidës

Një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi Kavajën, dëshmi të reja vijnë për krimin që ndodhi brenda apartamentit në lagjen nr.2 të qytetit ku mbeti i vrarë 41-vjeçari Dritan Haxholli.

 “BalkanWeb”  zbardh dëshminë e Bledar Tocit, shefit të sigurisë së brendshme në burgun e Durrësit i cili është arrestuar për vrasjen e Dritan Haxhollit.

Ai ka deklaruar se qëllimi i tij dhe dy miqve të 30-vjeçares ka qenë për t’i bërë presion Haxhollit ta linte të qetë por se viktima kishte aluduar për një lidhje të tij me Marsida Qatjan dhe kishte qëlluar me kallashnikov për ta vrarë.

“Marsida Qatja më telefonoi pasdite dhe më tha se Dritan Haxholli e bezdiste dhe e përndiqte dhe unë i thashë se do e ndihmoja.
Kam shkuar disa herë tek shtëpia e saj gjatë së mërkurës. Marsida më tha se Dritani vjen zakonisht natën aty dhe për këtë arsye unë qëndrova aty në mbrëmje së bashku me Xhuljo Biturkun dhe Ermir Çelën.

I thamë Marsidës se do i bënim ne presion Dritanit që të mos e shqetësonte më. Rreth mesnatës kur ai erdhi dhe me forcë po i binte derës dhe po kërcënonte shkova unë dhe ia hapa derën ndërsa Marsida me 2 shokët ishin në sallon. Sapo ia hapa derën Dritani me tha:’Ti qenke dashnori i kësaj prandaj ajo u nda nga mua’ dhe hapi zjarr direkt me automatik pa më lënë kohë që unë ta sqaroja. Menjëherë sa kam parë kallashnikovin që po e përgatiste për qitje jam shmangur por nga breshëria u plagosa. Për vetëmbrojtje reagova dhe qëllova vetëm një herë”, ka deklaruar ai.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas mesnatës së të mërkurës në një apartament dip ‘duplex’ në lagjen 2 të Kavajës, ku Marsida Qatja jetonte me djalin 3 vjeç. Ajo është nënë e tre fëmijëve, dy nga martesa e parë dhe një nga martesa e dytë. Pas ngjarjes së rëndë policia arrestoi Bledar Tocin, i cili ndodhet në spital pasi është plagosur në qafë nga Dritan Haxholli. Ndërkohë në pranga ka përfunduar edhe vëllai i tij Bernard Toci, pasi i janë gjetur disa doza kokainë.

Marsida Qatja dyshohet se kishte një lidhje jashtëmartesore me Haxhollin, i cili nuk pranonte ndarjen dhe e përndiqte prej kohësh. Vetë 30-vjeçarja në një intervistë për “News24” e “BalkanWeb” e mohoi lidhjen por duke pranuar se Haxholli e kërcënonte dhe ndaj i kishte kërkuar ndihmë Bledar Toçit.

 

Fraksion.com