AktualitetKosovaRajoniTë fundit

“Takon Vuçiç me dyer të mbyllura”; Richard Grenell në Beograd

Ambasadori Richard Grenell, i dërguari presidencial amerikan për bisedimet Kosovë – Serbisë qëndroi të enjten në Beograd, një ditë pasi vizitoi Prishtinën, për herë të parë që kur mori detyrën e re.

Ai takoi kryeministren serbe, Ana Bërnabiç e më pas edhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, me dyer të mbyllura.

Në një komunikatë të zyrës së presidentit serb, thuhet se Aleksandër Vuçiç ka nënvizuar përkushtimin për zgjidhjen e marrëdhënieve me Kosovën nëpërmjet bisedimeve duke theksuar se “një zgjidhje kompromisi në interes të qëndrueshmërisë dhe ardhmërisë së gjithë rajonit, mund të arrihet duke respektuar interesat e ligjshme të Serbisë”.

Ambasadori Grenell, të mërkurën takoi në Prishtinë presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit e partive politike.

Në një deklaratëlidhur me vizitën e tij në Prishtinë dhe Beograd, të lëshuar nga ambasadat amerikane në të dyja kryeqytetet thuhet se “ambasadori Grenell i filloi të dy ditët duke u takuar së pari me udhëheqësit e komunitetit të biznesit. Administrata e Presidentit Trump fuqimisht beson që zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë dhe rritja e mundësive tregtare luajnë rol kryesor në sigurimin e paqes së qëndrueshme. Qëllimi është për t’i bërë bashkë partnerët tanë në Serbi dhe Kosovë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për pikat e konfliktit në rajon. Të dyja palët do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejtë duke shikuar nga e ardhmja”, thuhet në deklaratë.

Në një postim të ambasadës amerikane në Beograd thuhet se ai po qëndron atje me një porosi të qartë nga presidenti amerikan; “qytetarët e Serbisë dhe të Kosovës dëshirojnë paqe, zhvillim ekonomik, punë dhe një jetë më të mirë për fëmijët e tyre”,

Ai u emërua më 4 tetor në detyrën e re, pak kohë pasi që sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo kishte emëruar zotin Mathew Palmer si përfaqësues të posaçëm për Ballkanin.

Emërimi i tyre, ndonëse kishte nxitur pikëpyetje ndër shumë vëzhgues, u mirëprit në Kosovë ku roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në të gjitha proceset politike.

Ai po qëndron në rajon në një periudhë kur në Kosovë po numërohen votat e fundit të hedhura në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, në të cilat kryeson lëvizja Vetëvendosje, e cila ishte kritike e rreptë e mënyrës se si janë zhvilluar bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Këto bisedime janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Diplomatët shpresojnë që ripërtëritja e bisedimeve të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm./VOA

 

Fraksion.com