Sot Venecia vendos ‘fatin e Metës’; Presidenti: Shqetësimi im është Hysaj
Sot Komisioni i Venecias do të japë vendimin përfundimtar sa i përket zhdekretimit të zgjedhjeve të 30 qershorit nga presidenti Meta në Shqipëri.
E ndërsa më herët kishte deklaruar se do të shkonte, kreu i shtetit shqiptar ndërroi mendje duke dërguar këshilltarët e tij.
Bledar Dervishaj, Arben Cici dhe Ilda Zhulali janë tre këshilltarët e Ilir Metës sot në komision, ndërsa ne mbledhje do të marrin pjesë edhe përfaqësues të mazhorancës.
“Është propagandë. Komisioni i Venecias ka zero rëndësi për mua. Për mua ka rëndësi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Vendimi apo mendimi i Komisionit të Venecias ka të bëjë me integritetin e Komisionit të Venecias, nuk ka të bëjë me integritetin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe me raportin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Kushtetutën e vendit tim. Kaq!” tha Meta mbrëmë.
Po gjithashu kur u pyet lidhur me vendimin Meta tha se “Mendjen e ka tek kombëtarja”.
Gazetarja: Prisni ndonjë surprizë nesër? Ndoshta ju bind nesër dhe jepni dorëheqjen?
Presidenti Meta: Nesër e kam mendjen të Kombëtarja, ju mbajeni të Venecia.
Gazetarja: Nëse Venecia thotë e ka shkelur në këtë nen dhe në këtë paragraf?
Presidenti Meta: Nuk ekziston një shqetësim i tillë, sepse unë e di Kushtetutën shumë herë më mirë se sa Venecia. Unë kam vetëm një shqetësim për nesër, Kombëtarja. Jemi të shqetësuar se na është dëmtuar Hysaj, shpresojmë ta kompensojmë këtë mungesë. Do të kisha shkuar në Stamboll, por nuk kishte bileta. Dje u kujtova dhe nuk kishte bileta.
Fraksion.com