AktualitetTë fundit

Ekzekutimi i deputetëve të opozitës 72 vite më parë, Basha: Edhe sot kemi parlament monist

“Edhe sot kemi parlament monist”, ka theksuar sot Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ndërsa kujton 72 vjetorin e ekzekutimit të deputetëve të opozitës së parë të viti 1945.

“72 vite më parë, më 10 tetor 1947, në një akt të pashembullt të eliminimit të elitës së kombit shqiptar, për interesa pushteti diktatura komuniste pushkatoi 16 veta, 5 prej të cilëve deputetë, në një gjyq të montuar që ka hyrë në histori si gjyqi i parë i dënimit të deputetëve”, tha ai.

Po ashtu Basha shton se “me vendim të vetë diktatorit dhe me frymëzim bolshevik, në Shqipëri po grisej edhe formalisht veli i opozitës politike dhe përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit, intelektualë me formim perëndimor, klerikë të njohur e të angazhuar aktivisht në luftë kundër pushtuesve të huaj, si dhe tribunë të lëvizjes për rreshtimin e Shqipërisë në krah të demokracive perëndimore, u dënuan me pushkatim dhe vendimi u ekzekutua me urgjencë brenda dy javësh, nëpërmjet një vrasjeje mizore masive në Malin me Gropa”.

“Pinjollë të familjeve të njohura e me tradita patriotike, u nxorën para gjyqeve politike, në përpjekje për të shkatërruar njëherë e mirë çfarëdolloj opozite që mund të prodhonte shoqëria shqiptare ndaj sistemit diktatorial komunist që po impononte klika e ardhur në pushtet me dhunën e pushkës. Pas gjyqit të parë të deputetëve, ku xhelati ishte përkujdesur të përzgjidhte personalitete nga Shkodra, Tirana, Gjirokastra, Dibra, Lushnja, apo edhe Prishtina, me urdhër të vetë diktatorit, pati edhe dy valë të reja gjyqësore në vitin pasardhës, ku me varje, pushkatime apo me burgime të përjetshme u dënuan 15 deputetë, dhe dhjetëra bashkëpunëtorë të tyre”, tha ai.

Basha vlerëson kontributin e deputetëve për mendimin ndryshe dhe qëndresën kundër regjimit komunist.

“72 vjet më vonë, ndjehemi krenarë për deklaratat që ata deputetë, tribunë të vërtetë të mendimit shqiptar, dhanë në gjyqin e montuar. Ata u shprehën troç se nuk e donin regjimin që ishte ngritur në Shqipëri e se ata ishin organizuar e po përpiqeshin për një Shqipëri si Europa, një Shqipëri me demokraci perëndimore”, tha ai.

Gjithashtu Basha hedh paralele mes dy kohëve duke konsideruar sot parlamentin si monist

“72 vjet më vonë, në Shqipëri kemi një parlament monist, ku çdo ditë mendohet si të prodhohen ligje për të vjedhur e plaçkitur shqiptarët dhe pasuritë e tyre, për të ndaluar opozitën politike e median kritike. 72 vjet më vonë, regjimi autokratiko-kriminal i drejtohet opozitës politike me të njëjtën terminologji siç u drejtohej xhelati grupit të deputetëve, duke e quajtur një forcë e errët e cila do të marrë pushtetin. Duke përkujtuar betejën e grupit të deputetëve, ne kemi detyrimin të ruajmë lirinë dhe demokracinë”, tha ai.

 

Fraksion.com