Rreth një milion emigrantë të arrestuar në 12 muaj në kufirin SHBA-Meksikë
Në 12 muajt e fundit agjentët amerikanë të kufirit kanë arrestuan ose ndaluar rreth një milion emigrantë pa dokumente në kufirin jugor me Meksikën, numri më i lartë në më shumë se një dekadë. Lajmi u bë i ditur të martën nga një zyrtar i lartë amerikan.
Rritja e numrit vjen mes përpjekjeve të ashpra të Presidentit Donald Trump për të ndalur emigracionin e paligjshëm që dha rezultate vetëm në tre muajt e fundit kur arrestimet në kufi ranë.
Drejtori në detyrë i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufijve Mark Morgan tha se numri i emigrantëve të arrestuar në kufi ra në pak më shumë se 52 mijë në shtator, nga mbi 144 mijë në maj, duke shënuar shifrën më të ulët mujore në një vit.
Rritja u shënua kryesisht nga emigrantët e Amerikës Qendrore që lanë vendet e tyre për shkak të varfërisë dhe dhunës, duke kaluar në grupe të mëdha, përfshi familje kufirin nga Meksika për në SHBA dhe duke u vetëdorëzuar me qëllim për të kërkuar azil.
Shumica iu nënshtrua procedurave të përpunimit nga zyrtarët e imigracionit dhe më pas u lanë të lirë në pritje të seancave dëgjimore për kërkesën e tyre për azil, por zakonisht emigrantët u zhdukën brenda SHBA-së me shpresën për të gjetur një zgjidhje për të qëndruar.
Administrata Trump i ka rritur përpjekjet për të çkurajuar mbërritjet në masë nga Hondurasi, Guatemala dhe El Salvadori duke i kërkuar Meksikës të pengojë tranzitin e tyre si dhe duke u kërkuar atyre që t’i bëjnë kërkesat për azil në vendin e parë që hyjnë, që nënkupton Guatemalën ose Meksikën.
Administrata ka urdhëruar dëbimin në Meksikë të çdo azilkërkuesi dhe është ankuar ndaj një vendimi gjykate që bllokon zbatimin e këtij urdhri.
Përveç kufizimit të aftësisë së emigrantëve për të kërkuar azil, Shtëpia e Bardhë vazhdon të bëjë presion për të ngritur mur në një pjesë edhe më të madhe përgjatë kufirit prej 3.200 kilometrash, duke devijuar fondet e Departamentit të Mbrojtjes të parashikuara për programe të tjera për këtë qëllim, pasi Kongresi nuk pranoi të miratojë buxhet për murin.
Zoti Morgan tha se është ndërtuar rreth 114 kilometra pengesë e re dhe se parashikohet që një total prej 724 kilometrash të përfundojë deri në fund të vitit 2020./VOA
Fraksion.com