AktualitetKosovaTë fundit

“Rinumërii i votave”; Reagon Vetëvendosja: Kemi personat përgjegjës, gardianë të vullnetit të qytetarëve

Koalicioni Nisma-AKR që drejtohet nga Fatmir Limaj ka kërkuar rinumërim të votave, duke qenë se për një numër të vogël votash nuk po arrin të kalojë pragun prej 5 për qind. Deri tani ky koalicion ka marrë 39 mijë 173 vota ose 4,93%, shkruan Gazeta Express.

Rinumërim të votave në nivel vendi ka kërkuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, duke qenë se pas numërimit të mbi 99 për qind të votave ka marrë vetëm 197 mijë e 53 vota ose 24,82%.

Nisma kërkon kalimin e pragut, ndërsa LDK-ja ende shpreson në përmbysje e fitore duke qenë se diferenca në vota me vendin e parë (VV-në) është shumë e vogël.

Ndaj këtyre kërkesave për rinumërim ka reaguar zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila thotë se rinumërim po kërkojnë subjektet të cilat nuk kanë marrë mbështetje nga qytetarët dhe po kërkojnë që të gjejnë shpëtim.

Haxhiu thotë se përkrahësit e Vetëvendosjes nuk duhet të shqetësohen pasi në qendrat e numërimit kanë personat përgjegjës që do të ruajnë vullnetin e qytetarëve.

“Që nga mëngjesi, kam pasur shumë mesazhe dhe telefonata nga qytetarë, miq e familjarë. Janë të shqetësuar lidhur me ndonjë tendencë për manipulim votash pas kërkesës për rinumërim. Qëndroni të qetë, mos u shqetësoni. Ne kemi personat përgjegjës që janë gardianët e vullnetit të qytetarëve. Padyshim subjektet që nuk kanë marrë mbështetjen nga qytetarët, tentojnë të gjejnë shpëtim nga rinumërimi. Qytetarët kanë folur me 6 tetor.Vullneti i tyre do të jetësohet”, ka shkruar Haxhiu në profilin e saj zyrtar.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit ka dalë e para me 202 mijë 532 vota ose 25,51% të tyre. Me këtë numër të votave, LVV-së patjetër do t’i duhet të gjejë një partner për krijimin e një koalicioni.

LDK-ja ka thënë se po pret që të numërohet edhe vota e fundit, dhe më pas do të flasin për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.

 

Fraksion.com