AktualitetBota+Të fundit

Presidenti irakian dënon dhunën në protestat kundër qeverisë

Presidenti irakian, Barham Salih ka dënuar dhunën kundër protestueve, pasi më shumë se 100 persona janë vrarë në më pak se një javë në protestat kundër qeverisë, që janë zhvilluar në gjithë shtetin.

Kjo valë e protestave, është më e madhja prej kur ishte shpartalluar grupi militant, Shteti Islamik (IS) në Irak më 2017, andaj këto organizime po konsiderohen sfidë për qeverinë e kryeministrit, Adil Abdul-Mahdi pas gati një viti prej kur ai ka fituar këtë pozitë.

Në një fjalim televiziv, Salih ka njohur për një varg masash me qëllim të luftimit të korrupsionit dhe ofrimit të mundësive më të mira për vende të punës, kërkesa këto të përmendura nga protestuesit.

Irakianët kanë bërë thirrje për dhënie fund të një sistemi politik që ka ekzistuar prej vitit 2003, kur forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë përmbysur qeverisjen e Saddam Husseinit.

Renad Mansour, hulumtues në Chatham House ka thënë për BBC-në se sistemi aktual qeveritar në Irak është i bazuar në kuota etnike dhe sektare, në vend të meritave.

“Irakianët e zemëruar thonë se një gjë e tillë u ka lejuar myslimanëve shiitë, sunitë, kurdëve, dhe liderëve të tjerë që të abuzojnë me fonde publike dhe kanë përfituar duke ofruar shumë pak për qytetarët”, është shprehur ai.

Përndryshe presidenti irakian ka thënë se do të nisen hetime për dhunën e përgjakshme që ka ndodhur në protesta.

“E drejta për të protestuar dhe liria e shprehjes janë të garantuara me kushtetutën irakiane”, ka thënë Salih.

Protestuest kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për shkak të papunësisë së madhe, shërbimeve të dobëta publike dhe nivelit të lartë të korrupsionit.

Përmes një deklarate, ushtria ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve dhe ka thënë se ka nisur të mbajë përgjegjës ata “zyrtarë që kanë dhënë urdhër për kryerje të këtyre akteve të gabueshme”.

Iraku ka një popullsi prej rreth 40 milionë banorëve dhe është eksportuesi i pestë më i madh i naftës në botë.

Pavarësisht kësaj shkalla e varfërisë në këtë shtet është mbi 20 për qind./rel

 

Fraksion.com