Misioni i BE-së vlerëson zgjedhjet e së dielës në Kosovë
Vëzhguesit e Bashkimit Evropian, thanë të martën se zgjedhjet e së dielës në Kosovë ishin organizuar mirë dhe në mënyrë transparente në pjesën më të madhe të vendit, por të cenuara nga frikësimi dhe mungesa e konkurrencës në zonat a banuara me shumicë serbe.
Shefja e Misionit vëzhgues, Viola von Cramon-Taubadel, tha se procesi u zhvillua i qetë dhe pa probleme të mëdha në pjesën me të madhe të Kosovës.
“Këto zgjedhje të parakohshme ishin të administruara mirë dhe transparente. Fushata ishte e gjallë dhe konkurruese duke u lejuar garuesve që të bëjnë fushatë lirshëm në pjesën më të madhe të Kosovës,” tha zonja von Cramon duke nënvizuar se megjithatë në proces u përsëritën problemet e vjetra.
“Përsëritja e problemeve sistemike në procesin zgjedhor të identifikuara edhe nga misionet e mëparshme të vëzhgimit, të tilla si thirrja e zgjedhjeve të parakohshme në afat të shkurtër kohor, periudha e parregulluar e para fushatës dhe të tjera, duhet të trajtohen në mënyrë që ta sjellin procesin zgjedhor në Kosovë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike,”tha zonja von Cramon.
Raporti i vëzhguesve evropian vë në pah se keqpërdorimi i burimeve publike dhe mungesa e transparencës së financimit të fushatës, mbeten sfidë për Kosovën. Sipas tyre, përmirësimi i këtyre sfidave do të kërkojë vullnet politik dhe përkushtim për të bërë reformat e nevojshme.
Vëzhguesit e Bashkimit Evropian ngritën ndërkaq shqetësimet për procesin zgjedhor në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Sipas tyre, mjedisi për të bërë fushatë në ato zona është përshkruar me kërcënime ndaj kandidatëve që nuk ishin pjesë e Listës serbe dhe mbështetës të tyre.
“Në zonat e banuara nga komuniteti serb, partitë që provuan të konkurrojnë kundër listës serbe e kanë pasur të pamundur të bëjnë fushatë efektive për shkak të kërcënimit të kandidatëve, familjarëve të tyre dhe votuesve në përgjithësi. Lista serbe kontrollon komunat serbe sikurse edhe qeveria e Serbisë i drejtoi serbët e Kosovës që të votojnë vetëm për Listën serbe ndërsa kundërshtarët e tyre i quajtën si anti serb. Kjo ka kufizuar ushtrimin e së drejtës themelore për liri të shprehjes dhe vazhdimisht procesi zgjedhor për serbët e Kosovës dështoi të përmbushë standardet ndërkombëtare”, tha zonja von Cramon.
Më shumë se 30 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë ndoqën nga afër procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës.
Tashmë janë numëruar mbi 98 për qind të votave dhe lëvizja Vetëvendosje kryeson me 25.55 për qind e pasuar nga Lidhja Demokratike me 24.82 për qind, Partia Demokratike me 21.24 për qind dhe koalicioni AAK-PSD me 11.54 për qind./VOA
Fraksion.com