AktualitetBota+Life StyleTë fundit

“Lord” dhe “Lady” në Skoci; 40.000 persona e kanë këtë titull në Turqi

Kurtoglu së pari të dashurës së tij i bleu një metër katror truall dhe ia dhuroi asaj me certifikatën e titullit “lady”. Pastaj ai bleu një copë truall në bregun perëndimor të Skocisë në emrin e tij, dhe kështu ai u bë Lord-i i Glencoe

Në kuadër të projektit për promovimin e bukurive natyrore dhe ruajtjen e mjedisit në Skoci, është duke u zbatuar projekti përmes së cilit titujt “lord” dhe “lady” u ndahen personave që blejnë metër katror minimal të truallit në rajonin historik.

Shtetasi turk Fırat Kurtoğlu para dhjetë vitesh shkoi në Angli për të studiuar marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa gjatë një vizite në Skoci mësoi për projektin e shitjes së truallit në këtë vend.

Kurtoğlu së pari të dashurës së tij i bleu një metër katror truall dhe ia dhuroi asaj me certifikatën e titullit “lady”. Pas pak ai bleu një copë truall në bregun perëndimor të Skocisë në emrin e tij, dhe kështu ai u bë Lord-i i Glencoe.

Pasi diplomoi në vitin 2013, Kurtoğlu u kthye në vendlindjen e tij në Turqi në 2013 dhe themeloi ndërmarrjen përmes të cilës njerëzit mund t’iu lejojnë lehtësisht të dashurve të tyre një dhuratë të pazakontë, domethënë një copë tokë në Skoci dhe titullin “lord” ose “lady” e Glencoe.

Përmes firmës së Kurtoğlu, 40.000 persona kanë fituar titullin “Lord” dhe “Lady” e Glencoe në gjashtë vitet e fundit në Turqi. Burrat janë kryesisht ata që e blejnë këtë dhuratë unike për partneret e tyre, kështu që në Turqi aktualisht ka 24.000 gra me titullin “lady”, ndërsa “lord” janë tetë mijë më pak.

Mbartësit e titullit përfshijnë shumë figura publike në Turqi, duke përfshirë Fahriye Evcen, Burak Ozcivit, Neslihan Atagul, Kadir Dogulu, Hazal Kaya, Cagla Sikel, Deniz Seki, Kenan Dogulu, Beren Saat, Sibel Can, Seda Akgul, Beyazit Ozturk dhe Wilma Elles.

Në një bisedë për Anadolu Agency (AA), Kurtoğlu tha se projekti i shitjes së truallit dhe dhënies së titulli në Skoci zbatohet me qëllim që të mblidhen para për mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e bukurive natyrore dhe turizmit në këtë vend.

“Glencoe është një rajon që bën pjesë në radhët e rajoneve më të bukura gjelbërore në Evropë. Peizazhet jashtëzakonisht të bukura bëhen edhe më të bukura meqë me mjetet e projektit është tharë një moçal i madh dhe u shndërrua në një luginë të gjelbër”, tha Kurtoğlu.

Ai më tej tha se çdo vit nga mesi i muajit maj, të gjithë Lordët dhe Lady-t mblidhen në Glencoe dhe shtoi se pjesëmarrja nga Turqia në mënyrë konstante është e vazhdueshme.

“Me gjithë projektin dhe zbatimin merren institucionet përkatëse në Skoci. Njerëz nga e gjithë bota mund të marrin pjesë. Për Turqinë është caktuar kuota prej maksimum 500 blerës në muaj dhe kërkesa po rritet”, tha Kurtoğlu.

Një metër katror kushton 105 paundë

Ai zbuloi se një metër katror tokë në Skoci dhe titulli kushtojnë 105 paundë (118 euro) dhe shtoi se ai herë pas here zhvillon fushata reklamuese dhe jepen zbritje të mira.

Kurtoğlu sqaroi se titujt e nderit “lord” dhe “lady” në Skoci janë të lidhura me pronarët e tokave dhe nuk janë të trashëgueshme si në Angli. Ai sqaroi se blerja e tokës nuk u jep të drejtën e ndërtimit sepse është një mjedis i mbrojtur natyror. Ai gjithashtu zbuloi se certifikata e pronësisë së tokës mund të përdoret gjithashtu si një rrethanë lehtësuese për vizitat në Skoci për njerëzit që vijnë nga vendet në regjimin e vizave.

Certifikatat i përpunon dhe vërteton një kompani kompetente skoceze, ndërsa ndërmarrja e Kurtoğlu-t dhe të ngjashme në vise tjera të botës janë ndërmjetësues dhe u ndihmojnë blerësve në procedurat që zgjasin disa javë nga paraqitja./AA

 

Fraksion.com