Cakaj: Elektorati tregoi pjekuri dhe përgjegjshmëri
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë në detyrë, Gent Cakaj, ka folur për zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur të dielën në Kosovë.
Në konferencën e përbashkët me homologun austriak, Cakaj tha se zgjedhjet e 6 tetorit ishin shembull për të gjithë rajonin dhe se elektorati kosovar tregoi pjekuri dhe përgjegjshmëri.
Ai theksoi se Qeveria e Shqipërisë po pret të fillojë bashkëpunimin me Qeverinë e re të Kosovës.
“Ajo çka ka ndodhur në Kosovë meriton dy komente elementare: Kosova i ka dhënë shembull rajonit se si organizohen zgjedhjet dhe se me çfarë standardi të lartë ndodh edhe ndryshimi i pushtetit.
E dyta, Kosova ka dëshmuar se ka një elektorat të pjekur dhe të përgjegjshëm, e unë mbi këto komente nënvizoj se mezi po presim që të fillojmë bashkëpunimin me Qeverinë e re të Kosovës, për të thelluar bashkëpunimin”.
Cakaj është deklaruar edhe për komentet e bëra nga Josep Borrell, kandidat për Përfaqësues të Lartë të BE-së, se Kosova nuk mund të jetë shtet deri sa të njihet nga shtete si Rusia, Kina apo India.
“E njohën apo jo disa shtete, kjo nuk është çështja jonë sepse Kosova është realitet objektiv, pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe natyrisht integrimi i dy vendeve është i pa alternativë”.
Për këtë çështje foli edhe Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg.
“Kosova është realitet. Austria është një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë, shumica e vendeve të OKB-së e kanë njohur pavarësinë. Megjithatë, BE ka mundur të ndjekë një politikë koherente ndaj Prishtinës dhe Beogradit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”.
Fraksion.com