AktualitetNATO/BETë fundit

Brexit pa marrëveshje; Britania: 88% e produkteve nuk do të përballen me tarifa

Britania ka thënë  të ketë rishikuar regjimin e tarifave që do të hyjë në fuqi, në rast se largohet nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje, që i bie se 88 për qind e importeve totale nuk do të përballen me tarifa.

Me qëllim të mbajtjes së çmimeve të përballueshme për konsumatorët dhe pa shkatërruar tregjet e brendshme, Britania ka thënë se “sipas një procesi të ri të rishikimit”, ndryshimet mund të jenë të mundshme nga dita e parë, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

“Mbretëria e Bashkuar është komb i tregtisë së lirë dhe bizneset britanike janë në një pozicion të fuqishëm për të garuar në një ambient të tregut të lirë”, ka thënë ministri për Politika të Tregtisë, Conor Burns.

Teksa kanë mbetur vetëm 23 ditë para se Mbretëria e Bashkuar të largohet nga blloku tregtar më i madh në botë, dhe ndërkohë që largimi pa marrëveshje është një nga skenarët më të mundshëm, qeveria e kryeministrit britanik, Boris Johnson është duke shtuar përgatitjet për një largim potencialisht kaotik.

Fillimisht Londra pati publikuar një regjim të përkohshëm të tarifave, para datës fillestare kur ishte planifikuar të largohej nga bllokuar evropian në muajin mars.

Mirëpo sipas planit të rishikuar që është rezultat i komenteve të sektorit të industrisë, qeveria ka paraparë disa masa mbrojtëse për prodhuesit britanikë, siç është sektori i makinave dhe bujqësisë, pasi sektorët tjerë pritet të përballen me garë më të dobët nga vendet tjera, shkruan Rel.

Britania e Madhe pritet të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor.

Kryeministri i këtij shteti, Boris Johnson ka thënë se do ta largojë Britaninë nga blloku evropian me apo pa marrëveshje, ndonëse ligjvënësit britanikë kanë miratuar një ligj që detyron atë të kërkojë shtyrje të datës për finalizim të Brexitit, nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 19 tetor.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

 

Fraksion.com