AktualitetKosovaTë fundit

Albin Kurti takon ambasadorin e SHBA, Philip Kosnett

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, partia e të cilit para dy dite doli fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, u takua sot me ambasadorin amerikan në Kosovë Philip Kosnett.

Në një komunikatë drejtuar mediave, nga Vetëvendosja u bë e ditur se Kosnett ka shprehur kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, e për pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve.

“Në një takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve. Ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon”, u bëri të ditur VV-ja.

Më tej, në komunikatë thuhet se Kurti e ka siguruar ambasadorin amerikan se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke thënë se do të fillojë me serbët e Kosovës.

“Nga ana e tij, kryetari Kurti e siguroi z.Kosnett se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë. Kryetari Albin Kurti tha se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lart për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me z. Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj”, shkruhet në komunikatë.

 

Fraksion.com