AktualitetTë fundit

60% e shqiptarëve nuk flasin asnjë gjuhë të huaj; Të pestët në Europë

Ekziston miti se shqiptarët dinë të flasin shumë gjuhë të huaja, mirëpo shifrat e Eurostat e  rrëzojnë këtë. Thuajse 60% e shqiptarëve nuk dinë asnjë gjuhë huaj, një nga përqindjet më të larta në krahasim me vendet e Bashkimit Europian dhe vendet kandidate për t’u anëtarësuar. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat në lidhje me njohuritë që kanë qytetarët mbi gjuhët e huaja rezultoi se 35% e qytetarëve të BE-së nuk dinë asnjë gjuhë të huaj.

Megjithatë rekordin e mban Turqia, ku sipas Eurostat rreth 82% e popullsisë nuk di asnjë gjuhë tjetër përveç turqishtes. Pas Turqisë renditet Mbretëria e Bashkuar. Sigurisht që anglishtja prej kohësh njihet si një gjuhë internacionale, e folur gjerësisht në shumë vende të botës dhe ky me siguri është shkaku pse britanikët janë bërë “dembelë” për të mësuar gjuhë të huaja.

Në vend të tretë renditen rumunët, ku sipas të dhënave në databazën e Eurostat 64% e popullsisë nuk flet asnjë gjuhët të huaj, e ndjekur nga Bosnje dhe Hercegovina me 61%, një diferencë tepër e ngushtë me Shqipërinë.

Ndryshe nga Shqipëria dhe Bosnja, përqindja e njerëzve që nuk flasin asnjë gjuhë të huaj është shumë e ulët në Maqedoni me vetëm 32%, dhe në Serbi me vetëm 21% e popullsisë.

Edhe në Gjermani, vetëm 21% e popullsisë nuk di asnjë gjuhë të huaj.

Nordikët kanë përqindjen më të ulët të popullsisë e cila nuk flet asnjë gjuhë të huaj, e cila varion nga 3% në Suedi, deri në 8% në Finlandë dhe në Norvegji.

Çereku i shqiptarëve flet një gjuhë tjetër përveç amtares

Rreth 26% e Shqiptarëve di të flasë edhe një gjuhë tjetër përveç gjuhës së nënës, kurse gati 11% e popullsisë në vend flet dy gjuhë të huaja, sipas Eurostat. Edhe për njohjen e dy gjuhëve të huaja shqiptarët renditen të pestët ndër vendet e BE-së dhe kandidatëve potencialë, për njohuri të ulëta në gjuhët e huaja.

Ndërsa përqindjen më të lartë e ka Qipro, me 62.2%, pasi është një vend ku fliten dy gjuhë, greke dhe turke, kështu qytetarët atje janë të detyruar të dinë përveç gjuhën amtare edhe gjuhën që flet pjesa tjetër.

Në Bashkimin Europian thuajse 36% e popullsisë njeh vetëm një gjuhë.

Vetëm 3% e popullsisë janë poliglotë 

3.2% e popullsisë shqiptarë njohin 3 ose më shumë gjuhë të huaja, ku edhe për këtë kategori shënojnë ndër përqindjet më të ulëta.

Në BE vendet qytetarë e të cilëve flasin 3 ose më shumë gjuhë të huaja janë: Luksemburgu me 51.2%, Finlanda me 44.9%, Norvegjia me 43%. Në të gjithë Bashkimin Europian vetëm 8.4% e qytetarëve  njohin më shumë se 3 gjuhë të huaja. /monitor

Burimi: Eurostat

 

Fraksion.com