“Pavarësia dhe integriteti i sistemit”; Borchardt: Sfidë ngritja e SPAK dhe BKH
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Bernd Borchardt deklaroi sot se, përparësi themelore për drejtësinë në Shqipëri duhet të ketë pavarësia dhe integriteti i sistemit.
Duke folur në ceremoninë e diplomimit të studentëve të rinj të shkollës së Magjistraturës ai vuri theksin tek një sistem drejtësie transparent.
“Së shpejti do të formohen institucionet e reja të drejtësisë. E ardhmja e vendit varet nga zbatimi i reformës në drejtësi. Duhen luftuar defektet aktuale të sistemit të drejtësisë”, shtoi Borchardt.
Çdo vit, theksoi ai, “dalin prokurorë dhe gjykatës të rinj, kemi bërë trajnime për profesionistët e drejtësisë. Shpresoj që gjërat të shkojnë më mirë edhe më tej. Kemi qenë partner të kësaj shkolle, kemi dhënë mbështetjen tonë për trajnimet”.
“Keni sfida përpara dhe shpresoj t’u bëni ballë. OSBE promovon sundimin e ligjit për një sistem drejtësie transparent. Pavarësia dhe integriteti i sistemit janë themelore për drejtësinë në Shqipëri. Jeni zgjedhur për të çuar përpara sistemin”, iu drejtua ai studentëve të diplomuar.
“Jemi të ndërgjegjshëm që sistemi i drejtësisë në Shqipëri po kalon nëpër ndryshime të mëdha. Janë ndërtuar institucione tepër të rëndësishme për drejtësinë, por pritet të ndërtohen edhe të tjera më të rëndësishme. Ju jeni prokurorët dhe gjykatësit e rinj të vendit. Patjetër, që duhen luftuar defektet aktuale të drejtësisë. Ju inkurajoj që të investoni në sistemin e drejtësisë”, tha Borchardt.
“Pritjet janë të mëdha, të gjithë kanë besim te ju, keni përgjegjësi të madhe përpara. Çdo vendim që do të merrni, do përmirësojë edhe njohjen tuaj dhe mbi të gjitha këto vendime duhet të jenë në kuadër të sundimit të ligjit. Kemi bërë trajnime për profesionistët e drejtësisë, shpresoj që gjërat të shkojnë më mirë edhe më tej”, tha Borchardt.
Fraksion.com