Në Kosovë troket ora e politikës reale
Nga Vilma Filaj-Ballvora
Dy parti me orientime diametralisht të kundërta duhet ta avancojnë tani dialogun e vështirë me Serbinë. Një marrëveshje është e domosdoshme për Kosovën, mendon Vilma Filaj-Ballvora.
Fitorja fare e ngushtë e lëvizjes së majtë që konsiderohet radikale, Vetëvendosja, kundrejt liberal-konservatores LDK tregon, se sa e përçarë është shoqëria kosovare lidhur me qendrimin në bisedimet me Serbinë. Ndërkohë që LDK tradicionalisht ka ndjekur linjën pacifiste-diplomatike të figurës ikonë, ish-kryetarit të saj Ibrahim Rugova, Vetëvendosja nën Albin Kurtin ka qenë gjithmonë kategorikisht kundër kompromiseve.
Albin Kurti – nga rebel në realist
Nëse qeveria e re do të krijohet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, priten bisdime të vështira me Beogradin. Mbetet të shihet, nëse Beogradi do të pranojë të ulet në një tyrezë me Albin Kurtin. Ky i fundit, një ndër figurat kyçe të lëvizjes studentore të viteve 1990, në mars 2000 u dënua me 15 vjet heqje lirie në Serbi nën akuzën për antarësim në një organizatë terroriste. Vetëm pas presionit ndërkombëtar dhe me ndryshimin e qeverisë në Beograd atë e liruan në vitin 2001. Me tezat radikale – kundër pranisë ndërkombëtare në Kosovë, për një politikë të vetëvendosjes së kosovarëve, kundër çdo kompromisi në dialog me Serbinë e madje deri tek kërkesa për një bashkim të trojeve shqiptare – partia e tij bënte gjithnjë e më shumë për vete zgjedhësit e zhgënjyer. Rëndom kjo parti ka tërhequr vëmendjen brenda dhe jashtë vendit me protestat e ashpra e deri dhe të dhunshme kundër qeverisë, korrupsionit galopant dhe gjendjes së mjeruar në Kosovë.
44 vjeçari Albin Kurti konsiderohet rebel politik i pakompromentueshëm. Njëkohësisht ai ia ka dalë të preazantohet në botën e jashtme si një politikan intelektual, karizmatik dhe me përvojë. Fakti që „bashkimi i trojeve shqiptare” nuk është më temë për të, madje as në fushatën elektorale nuk u përmend me asnjë fjalë – flet për një linjë të re realiste të tij.
Kapërcimi i një hendeku të thellë
Albin Kurti gjendet përballë një detyre Herkuli: ai nuk duhet t’i zhgënjejë në asnjë mënyrë zgjedhësit e vet, por njëkohësisht janë të pashmangshme kompromiset e dhimbshme me politikanët drejtues nga Beogradi në bisedimet e ndërmjetësuara në nivel ndërkombëtar. Pikërisht një koalicion i mundshëm me LDK mund ta ndihmojë atë që ta përballojë këtë hendek të thellë. LDK-ja e moderuar i është përshtatur tashmë frymës së kohës, gjë që e dëshmoi edhe nxjerja në garë si kandidate kryesore e Vjosa Osmanit. Me paraqitjen e saj të vetëdijshme dhe të sinqertë juristja 38 vjeçare i bën për vete zgjedhësit dhe po ashtu ajo mund të luajë një rol të rëndësishëm në dialogun me Beogradin. Përveç kësaj si LDK-ja, ashtu edhe Vetëvendosja e kanë refuzuar kategorikisht tezën e përfolur së fundi të ndryshimit të kufijve – edhe kjo me sa duket ka ndihmuar në suksesin e të dyja partive të opozitës në këto zgjedhje.
Të dy politikanët e rinj Kurti dhe Osmani kanë potencialin për t’u afruar mes vedi dhe për ta orientuar shoqërinë kosovare drejt kompromiseve të nevojshme. Me ose pa ideologji – tashmë ka ardhur koha e politikës reale në Kosovë: një marrëveshje jo vetëm me Serbinë, por edhe brenda vetë kosovarëve është urgjentisht e domosdoshme për një të ardhme të sigurtë dhe të paqtë edhe në sfondin e afrimit me BE./DW
Fraksion.com