Denoncimi i Ramës; KLP nis shqyrtimin për Prokurorin Arian Ndoja
Pas akuzave që kryeministri Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe, kanë lëshuar ndaj Prokurorit në Durrës Arian Ndoja duke thënë se ai mbështet bandat e krimit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka nisur shqyrtimin për këtë rast nëse ka apo jo shkelje ligjore nga Ndoja. Ndaj prokurorit Ndoja ka patur akuza për shpërdorim detyre e presion ndaj zyrtarit të hipotekës në Durrës.
Edhe ditën e sotme Rama hodhi akuza ndaj Ndoja-s të cilin e ka akuzuar se punon për organizatat kriminale dhe se u bën shantazh nëpunësve të shtetit herët apo vonë do të dalë para drejtësisë për të dhënë llogari për gjithçka ka bërë.
Edhe zv. kryeministri Erion Braçe më parë ka thënë se prokurori i çështjes së Liridon Pulës, drejtor i Kadastrës Shtetërore në Durrës, është Arian Ndoja dhe pikërisht ky prokuror mbështet bandat kriminale dhe u bën presion zyrtarëve .
Prokurori Arjan Ndoja ishte në seancën gjyqësore, ku Gjykata e Durrësit vendosi masë sigurie arrest me burg për Liridon Pulën. Sipas Braçes është presion kriminal mbi drejtuesin e Kadastrës në Durrës, për shkak se Pula nuk ka pranuar të legalizojë pallate monstrueze, siç i quajti zv.kryeministri, pavarësisht se ka qenë nën presionin e banditëve që grabisin prona në zonën bregdetare të Durrësit dhe mbështeten nga prokurorë dhe gjyqtarë.
Sipas deklaratave të pasurisë të pasqyruara në Open Spendig Albania, rezulton se ai ka dhjetëfishuar pasurinë për katër vjet. Gjatë vitit 2004, Ndoja deklaron një pasuri prej 20 mijë euro dhe 200 mijë lekë. Dhe pas katër viteve, pikërisht në vitin 2008 ai rezulton me një pasuri mbi 760 mijë euro.
Fraksion.com