AktualitetPolitikëTë fundit

Bashkëqeverisja; 34427 ankesa të zgjidhura

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se numri i ankesave apo kërkesave të zgjidhura falë Portalit të Bashkëqeverisjes, ka arritur sot në 34427, ç’ka tregon respektin maksimal të shtetit për qytetarët.

“Më vjen shumë mirë që mund të them sot se, në nivelin e qeverisë dhe të institucioneve qendrore numri i adresimeve të qytetarëve, ankesa, kërkesa, apo dhe adresime të natyrave të tjera ka arritur në 45326 dhe 42124 kanë marrë përgjigje. Pra, ka vetëm një diferencë prej rreth 1 mijë që janë në proces, ç’ka tregon se kemi arritur të garantojmë, në radhë të parë, respektin e shtetit për qytetarët, të cilët nuk e hedhin fjalën në erë, apo nuk e lëshojnë ankesën në drejtim të paditur, por, kur na adresohen, marrin përgjigje. Kjo është A-ja. Pastaj, nga ana tjetër, 34427 ankesa kanë marrë përgjigje pozitive,” u shpreh Rama.

Kryeministri nënvizoi se paralelisht me këtë proces po ecet mjaft pozitivisht edhe me hetimet administrative dhe masat disiplinore ndaj të gjithë zyrtarëve apo nëpunësve të thjeshtë që janë bërë shkak për zvarritjen apo mos zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

“Më vjen shumë mirë të theksoj, se, ka arritur në 793 numri i masave ndëshkimore të marra falë hetimeve administrative që vijnë, pasi u jepet e drejtë qytetarëve nga Platforma. Janë 46 masa disiplinore në proces për nëpunës, shefa, apo drejtues zyrash që i ka rënë në qafë qytetarit,” deklaroi ai.

Kryeministri Rama nënvizoi se me të tilla probleme të funksionimit të administratës hasen edhe vende të tjera të zhvilluara, ku janë ngritur po ashtu zyra ankesash dhe qytetarët i drejtohen deri edhe presidentit të SHBA-ve.

“Iu them të gjithë atyre që përqeshin, rrudhin buzët, apo i bien shkurt edhe thonë, – “po pse, kështu duhet të funksionojë shteti, duke shkuar deri te Kryeministri, deri te qeveria, ndërkohë që gjërat duhet të funksionojnë menjëherë, në momentin e parë”, – se, kështu funksionon kudo. Edhe në shtete më të zhvilluara, me administrata shumë më efikase se e jona, përsëri makineria nuk është perfekte, sepse po të ishte perfekte nuk do kishte me qindra-mijëra, miliona letra në vit që iu shkojnë senatorëve, kongresmenëve nga qytetarët, s’do kishte zyra ankesash Shtëpia e Bardhë dhe letra që i shkojnë presidentit të SHBA, s’do kishte zyra ankesash edhe në të gjitha vendet e tjera. Ajo që ne kemi bërë është një transformim i zyrave tradicionale të ankesave me letra që nuk i lexonte askush, mbeteshin sirtarëve, në një zyrë ankese digjitale që çdo qytetar e ka në xhep, në telefon, ose disa hapa larg shtëpisë, në një qendër interneti, apo te njësia administrative. Mjafton të bëjë ankesën dhe vë të gjithë qeverinë në lëvizje. Sot s’ka rëndësi fare kush je, mjafton të klikosh te platforma www.shqiperiaqeduam.al dhe shtetin e ke në krah. Nëse të takon, ti të drejtën e merr,” tha me tej Kryeministri Rama.

Deri më tani numërohen mbi 115 mijë qytetarë që kanë vizituar platformën dhe afro 20 mijë të tjerë që janë regjistruar së fundmi për herë të parë.

 

Fraksion.com