Proces i qetë votimesh në Kosovë, disa të ndaluar për parregullsi
Mbi 560 mijë qytetarë, apo rreth 30 për qind e votuesve të regjistruar morën pjesë në zgjedhjet e së dielës në Kosovë deri në orën 15.
Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë se procesi po rrjedh i qetë dhe pa probleme të theksuara, ndërsa vëzhguesit e Bashkimit Evropian thanë se janë shfaqur probleme të vogla në hapje të votimeve të sotme, por ato po rrjedhin të qeta.
Koalicioni i Organizatave Joqeveritare, Demokracia në Veprim, tha se nuk kanë munguar edhe parregullsitë në procesin e votimit dhe ato janë të ngjashme me zgjedhjet e së kaluarës.
Sipas vëzhguesve të këtij koalicioni janë regjistruar raste të fotografimit dhe bërjes publike të votës, vështirësi në gjetjen e vendvotimeve, ofrim i ndihmës gjatë votimit etj.
Prokuroria e Kosovës tha se janë ndaluar dy komisionarë në veriun e banuar me shumicë serbe për shkak të veprës penale, “keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve”.
Policia tha se katër persona ndërkaq janë ndaluar në rajonin e Prizrenit për shkak të fotografimit dhe bërjes publike të votës.
Mbi 30 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë po ndjekin nga afër zgjedhjet e së dielës në Kosovë./VOA
Fraksion.com