Koreja e Veriut largohet nga bisedimet në Stokholm
Koreja e Veriut është larguar me zemërim nga bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara në nivel ekspertësh. Kryenegociatori i Phenianit tha të shtunën se ishte shumë i zhgënjyer me qasjen e ngurtë të Uashingtonit.
Prishja e shpejtë e negociatave të para thelbësore në disa muaj, shton mundësitë që Koreja e Veriut të intensifikojë provokimet e saj. Ditë më parë Pheniani testoi një raketë të re balistike me rreze të mesme që mund të lëshohet nga nëndetëset.
Vendimi i Koresë së Veriut për të braktisur bisedimet mund të jetë më shumë se sa një taktikë e vjetër për negociatat me synimin për të shkaktuar trysni ndaj Uashingtonit. Disa analistë parashikojnë se Pheniani mund të rikthehet së shpejti në tryezën e bisedimeve, shkruan VOA.
Pas një ditë negociatash në Stokholm të Suedisë, i dërguari i lartë bërthamor i Koresë së Veriut Kim Myong Gil, fajësoi Uashingtonin për dështimin e bisedimeve, duke e cilësuar si qëndrim dhe pozitë të vjetër.
“Uashingtoni erdhi në negociata me duar bosh dhe mbi të gjitha tregon se nuk është i gatshëm të zgjidhë çështjen”, tha Kim.
Diskutime të mira
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus hodhi poshtë karakterizimin e Phenianit, duke thënë se komentet e Kimit nuk refletojnë përmbajtjen apo shpirtin e diskutimit të sotëm prej 8 orë e gjysmë.
“Shtetet e Bashkuara sollën ide krijuese dhe zhvilluan diskutime të mira me homologët koreanoveriorë”, tha zonja Ortagus.
“Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut nuk do të kapërcejnë një histori 70 vjeçare lufte dhe armiqësie në Gadishullin Korean, gjatë një të shtune të vetme. Këto janë çështje me peshë, dhe kërkojnë angazhim të fortë nga të dy vendet. Shtetet e Bashkuara e kanë këtë angazhim”, tha zonja Ortagus.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara pranuan ftesën e Suedisë për të vazhduar bisedimet pas dy javësh, Pheniani tha të dielën se nuk ka plane për të vazhduar bisedimet nëse Shtetet e Bashkuara nuk i japin fund politikave të tyre armiqësore.
Deklarata e publikuar në Agjencinë Qendrore të Lajmeve të Koresë së Veriut dhe që i atribuohet Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut, po ashtu përsëriti afatin e fundvitit që Pheniani ka caktuar që Shtetet e Bashkuara të ndryshojnë qasjen ndaj bisedimeve.
Bllokimi
Raundi i mëparshëm i bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut u prish në muajin shkurt, pasi Presidenti Donald Trump përfundoi papritur takimin me udhëheqësin Kim Jong Un në Hanoi të Vjetnamit.
Në atë takim, Presidenti Trump hodhi poshtë ofertën e udhëheqësit Kim për të çmontuar një kompleks të rëndësishëm bërthamor në shkëmbim të heqjes së pesë sanskioneve të Kombeve të Bashkuara që po dëmtojnë ekonominë e Koresë së Veriut. Përkundrazi, zoti Trump dëshironte që udhëheqësi Kim të binte dakord për të hequr dorë nga i gjithë programi i tij bërthamor në të ashtuquajturën “marrëveshja e madhe”.
Gjatë muajve të fundit, Presidenti Trump pati lënë të kuptohet për një shtim të fleksibilitetit. Muajin e kaluar ai foli për nevojën e “një metode të re” për bisedimet, gjuhë e ngjashme me thirrjen e Phenianit ndaj Uashingtonit për të bërë më shumë lëshime. Presidenti Trump po ashtu shkarkoi këshilltarin e tij të sigurisë, John Bolton, i cili kishte kundërshtuar bisedimet me Korenë e Veriut.
“Duke aluduar për një qasje të lakueshme, metodë të re dhe zgjidhje krijuese, Shtetet e Bashkuara kanë rritur pritshmërinë”, tha Kim kryenegociatori koreanoverior të shtunën. “Por doli pa asgjë, duke na zhgënjyer shumë dhe ndërprerë dëshirën tonë për negociata”.
Fraksion.com