AktualitetRajoniTë fundit

Sekretari Pompeo në Maqedoninë e Veriut, në prag të anëtarësimit në BE

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo tha se është i bindur që senati do të ratifikojë gjatë vjeshtës protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Pompeo që është sekretari i parë amerikani shtetit që viziton Maqedoninë e Veriut që nga vitit 2001, i bëri këto komente në Ohër ku qëndroi për një vizitë mbështetëse për Maqedoninë e Veriut e cila pret të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s deri në fund të vitit.

Sekretari Pompeo takoi presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Zoran Zaev me të cilët diskutoi zgjerimin dhe forcimin e lidhjeve ekonomike dhe të sigurisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut e cila synon lidhje më të ngushta me perëndimin.

Ai vlerësoi praninë e trupave të Maqedonisë së Veriut në Irak e Afganistan, përpjekjet për të rritur në 2 për qind buxhetin e mbrojtjes dhe ndihmesën në kuadër të koalicionit që mundi grupin militant Shteti Islamik.

“Këto përkushtime na bëjnë të besojmë se Maqedonia e Veriut do të jetë një partner i fortë dhe i zoti në NATO. Jam i bindur që Senati amerikan do të ratifikojë protokollin e anëtarësimit këtë vjeshtë në mënyrë që edhe zyrtarisht t’ju përfshijmë në ekipin e NATO-s”, tha sekretari Pompeo gjatë një konference me gazetarë bashkë me kryeministrin Zaev.

Ai tha se luftimi i korrupsionit është thelbësor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Demokracitë e forta gjithashtu duhet t’u përgjigjen shqetësimeve të publikut dhe të marrin masa të forta për t’u rezistuar dhe për t’u mbrojtur nga ndikimeve malinje. Zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duhet të udhëheqin vendin tuaj përpara, jo veprimet e dëmshme të Rusisë në mediet sociale”, tha ai.

Sekretari Popmeo u tërhoqi vëmendjen udhëheqësve të Maqedonisë së Veriut për rreziqet e investimeve kineze në teknologjitë e ndjeshme dhe sipas tij Kina mund të përdorë ryshfetet për të siguruar marrëveshje për infrastrukturën në Ballkan.

Maqedonia e Veriut pret gjatë këtij muaji hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një mundësi që u hap pas marrëveshjes së saj për emrin më Greqinë, e cila është pika e fundit e vizitës së zotit Pompeo, i cili tha se hapja e negociatave do të dërgonte mesazhin se Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e Evropës dhe do të trimëronte edhe vendet tjera të rajonit që të dëshmojnë kurajë politike për zgjidhjen e problemeve.
Fraksion.com