AktualitetTë fundit

“Nuk e duan thertoren”; Banorët e Laknasit dalin në protestë

1.2 hektarë pyll i është dhënë një kompanie private për ndërtim dhe kaq ka mjaftuar që  banorët e zonës tek “Plepat e Brukës”, në Laknas të bashkisë së Kamzës, të ngrihen në protestë.

Banorët pretendojnë se një kompani private në pronësi të Bledar Dacit, do të presë pyllin pranë kësaj zone dhe të ndërtojë aty tre thertore derrash.

Kompania në fjalë shoqërohet  me polici private dhe me policinë e shtetit, për të kryer aktivitetin sipas projektit që ka nisur pasi pretendon se i ka të gjithë dokumentet e nevojshme. Banorët tregojnë se leja për këtë ndërtim është dhënë nga ish-kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu tre ditë para se të bëheshin zgjedhjet e 30 qershorit, ku bashkinë e Kamzës e fitoi Rakip Suli i Partisë Socialiste.

Ndër të tjera banorët shprehen se këtë tokë e kanë zënë tre persona që duan të ndërtojnë stallë e thertore derrash, por nga ana tjetër vëllai i pronarit që tashmë ka këtë tokë me letra, shprehet se aty nuk d të bëhet stallë derrash por një restorant dhe një fermë agroturismi.

Banorët kanë kundërshtuar me forcë punëtorët e kompanisë dhe kanë thënë se nuk do ta lirojnë pyllin që ata vetë e kanë mbjellë prej më shumë se 100 vitesh. Sipas pretendimeve të tyre kjo tokë nuk mund të jepet për ndërtim pasi është tokë shtetit dhe është në breg të lumit. Në protestën e banorëve nuk kanë munguar as tensionet, ku dy grave u ka rënë të fikët dhe është dashur ndërhyrja e ambulancës për tu ardhur në ndihmë.

Nga ana tjetër banorët shprehen se i kanë shkuar disa herë në zyrë Xhelal Mziut për këtë problem por për sa kohë që ishte ende në krye të bashkisë së Kamzës nuk i ka pritur. Po kështu banorët deklarojnë se kanë marrë edhe një premtim nga kryetari i ri, Rakip Suli i cili u ka thënë se kjo çështje do të zgjidhet por deri më tani situata vijon të jetë e njëjtë./shqiptarja.com

 

Fraksion.com