Koment: BE-së i duhet një politikë e qartë ndaj refugjatëve
Nga Jens Thurau
BE me gjysmë zemre
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Horst Seehofer duhet të merret me pasojat e kësaj politike me gjysmë zemre. Të premte ai përfundoi udhëtimin e tij të krizës në Turqi dhe Greqi, të planifikuar me nxitim. Sepse në ishujt grekë numri i refugjatëve kohët e fundit është rritur, mjerimi është i madh. Dhe Turqia ka shprehur hapur pakënaqësinë e saj për trajtimin problematik të “marrëveshjes” që BE përfundoi me Turqinë në vitin 2016. Thelbi i saj është në vija shumë të përgjithshme: Turqia merr para dhe lëshime të tjera për të parandaluar që njerëzit, veçanërisht nga Siria, të vazhdojnë eksodin e mëtejshëm drejt Evropës. Vetëm se jo gjithçka funksionon aq mirë – nga të dyja palët jo.
Në vjeshtën e vitit 2015, Angela Merkel, kancelarja gjermane, vendosi në një situatë emergjente për një Evropë të hapur: kur refugjatëve në Hungari u duhej të prisnin në kushte të patolerueshme, ajo vendosi t’i linte ata të vinin në Gjermani. Kundër rregullit të BE, që kërkon që njerëzit të kërkojnë azil atje ku shkelin së pari në tokën evropiane. Që nga ajo kohë, kancelarja federale gjithashtu ka ndihmuar që hap pas hapi të mbyllet rruga drejt Evropës për azilkërkuesit dhe që kushtet e tyre të përkeqësohen.
Në thelb, kjo bëhet thjesht nga frika: prej trazirave të mundshme në shoqëritë evropiane, prej populistëve të krahut të djathtë në të gjitha vendet e BE-së. Disa prej këtyre vendeve udhëhiqen prej kohësh nga politikanë të tillë. Politika e azilit të BE, përfshirë shumicën e vendeve anëtare të tij, është kryesisht defensive. Prej vitesh BE nuk është në gjendje të pajtohet për një çelës, si të shpërndahen refugjatët, të cilët mbërrijnë kryesisht në vendet mesdhetare si Greqia apo Italia, me drejtësi dhe me kuptim në të gjitha vendet. Që kjo do të ndryshojë në të ardhmen, kjo nuk parashikohet.
Detyrë kryesore për Ursula von der Leyen-in
Por kjo do të ishte një politikë, që do të plotësonte nevojat e të paktën shteteve bazë të BE-së, si Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, skandinavët: që Evropa të përkufizohet qartë si një kontinent emigrimi, si ka qenë gjithmonë. Caktimi i kufijve për këtë dhe formulimi i rregullave të qarta për shpërndarjen e barrës, të cilën ta mbajnë të gjitha shtetet. Para së gjithash: trajtimi human i njerëzve që mbërrijnë në kontinent. Rreth 4000 refugjatë të mitur, të pashoqëruar në Greqi, për të cilët flasin organizatat e ndihmës, janë një dëshmi varfërie e gjithë BE.
Në një botë, ku rregullat vlejnë gjithnjë e më pak, Evropa – megjithë Brexitin, pavarësisht Donald Trump-it – duhet të rikthehet te vlerat e saj. Me këtë nuk dua të them që kontinenti të hapet pa plan. Por do të jetë një nga detyrat kryesore të Presidentes së re të Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, që të kujdeset që politika e refugjatëve në BE të bëhet më e guximshme dhe më e besueshme – dhe që ajo të mos ndikohet nga populistët./DW
Fraksion.com