Hong Kong, banorët sfidojnë urdhërin që ndalon maskat
Banorët e Hong Kongut dolën sërish sot në rrugë me fytyra të mbuluara, duke sfiduar kështu urdhërin e guvernatores që ndalonte përdorimin e maskave. Kombet e Bashkuara po u bëjnë thirrje palëve t’i japin fund dhunës në Hong Kong pas sulmeve të shumta, djegieve, plaçkitjeve dhe përplasjeve fizike me policinë.
Banorët e Hong Kongut filluan sërish të marshojnë sot, pas një nate të gjatë të përshkuar nga dhuna. Siç njofton agjensia e lajmeve Associated Press, njerëzit dolën me fytyra të mbuluara për të sfiduar urdhërin e guvernatores për ndalimin e maskave.
Duke folur para gazetarëve në kryeqytetin malajzian, Komisionierja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, bëri thirrje për një hetim të pavarur të dhunës gjatë protestave anti-qeveritare në Hong Kong. Ajo tha se lëndimet janë alarmuese.
“Jemi të shqetësuar nga niveli i lartë i dhunës në disa prej demonstratat e ditëve të fundit. Jemi gjithashtu të alarmuar nga plagosjet e policëve dhe protestuesve, ndër ta edhe gazetarë dhe protestues të qëlluar me armë nga policia. Dënoj me forcë të gjitha aktet e dhunës nga të gjitha palët dhe u bëj thirrje njerëzve që demonstrojnë dhe organeve të ligjit që të veprojnë në një mënyrë paqësore dhe jo të dhunshme”, tha zonja Bachelet.
Zonja Bachelet foli gjithashtu edhe për udhërin e vendosur të shtunën nga autoritetet e Hong Kongut për ndalimin e maskave.
“Ndalimi i mbulimit të fytyrës gjatë grumbullimeve publike përdoret në disa raste ndaj grupimeve të caktuara për t’ua kufizuar padrejtësisht lirinë e shprehjes dhe të organizimit paqësor. Liria e tubimit paqësor duhet të përjetohet me sa më pak kufizime të jetë e mundur. Por, në anën tjetër, ne nuk mund të pranojmë personat që përdorin maska për të prvokuar dhunë – kjo gjithashtu nuk është e pranueshme”, tha zonja Bachelet.
Autoritetet e Hong Kongut e vendosin kufizimin një ditë pasi guvernatorja Carrie Lam shpalli gjendjen e emergjencës, duke marrë kështu edhe fuqi të jashtëzakonshme.
Fraksion.com