Fillojnë bisedimet bërthamore me Korenë e Veriut
Zyrtarët amerikanë dhe koreano-veriorë rifillojnë sot bisedimet bërthamore në nivel ekspertësh në Stokholm.
Këto do të jenë negociatat e para zyrtare që kur Presidenti Donald Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ranë dakord në qershor për t’i rifilluar ato pas dështimit në shkurt në një samit në Vietnam.
Bisedimet dështuan për mënyrën e lehtësimit të sanksioneve për programin bërthamor të Koresë së Veriut.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha në Greqi të shtunën se kishte “shpresë” se do të bëhej përparim dhe se negociuesit amerikanë mbërritën në Stokholm “me një seri idesh”.
Nuk është e qartë nëse secila palë e ka zbutur qëndrimin negociues, megjithëse zhvillimet e fundit sugjerojnë një gatishmëri të shtuar për të punuar drejt një marrëveshje.
Në fund të muajit të kaluar, presidenti Trump tha se një “metodë e re” e bisedimeve bërthamore do të ishte “shumë e mirë”, duke i bërë jehonë gjuhës së ngjashme që zyrtarët e Koresë së Veriut kanë përdorur për muaj me rradhë.
Koreja e Veriut ka thënë vazhdimisht se nuk është e gatshme të dorëzojë armët e saj bërthamore. Phenian preferon një qasje me faza, në të cilën Shtetet e Bashkuara ndërmerr hapa të njëkohshëm për të lehtësuar sanksionet dhe për të siguruar garanci të sigurisë.
Deri kohët e fundit, shumica e zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë këmbëngulnin se nuk ishin të interesuar për një qasje me faza, dhe se Koreja e Veriut duhet të pajtohet për të braktisur plotësisht armët e saj bërthamore para se të merrte lehtësimin e sanksioneve./VOA
Fraksion.com