Rama: SHBA lobim për hapjen e negociatave për Shqipërinë
“SHBA po lobojnë për Shqipërinë për hapjen e negociatave dhe kanë bërë demarshe me shkrim në kancelaritë e Europës”, deklaroi mbrëmjen e të enjtes Kryeministri Edi Rama .
I ftuar në një studion televizive të emisionin “Real Story”, Rama tha se “SHBA po lobojnë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për të hapur negociatat në të njëjtën kohë, madje kanë bërë edhe demarshe”.
“SHBA, janë këtu pararojë e Reformës në Drejtësi, që për luftën me krimin nuk pyesin është i majtë apo i djathtë, i heqin vizën ish-kryeministrit, shpallin të padëshirueshëm një figurë drejtuese të PS-së”, – tha Rama.
E vërteta që duhet thënë me insistim, sipas tij, “është që Shqipëria meriton t’i hapen negociatat, por ka pasur kundërshtarë të mëdhenj, këta që nuk kanë lënë gurë e bojë pa luajtur kudo ku kanë mundur dhe nuk kanë lënë mik të tyre pa e telendisur Shqipërinë”.
“Emmanuel Macron është miku im, komunikoj rregullisht. Emmanuel Macron ishte i pari që më dërgoi mesazh: të lutem kërkoji falje shqiptarëve për atë që ndodhi me himnin, është e patolerueshme dhe turp. Pas telefonatës së Kryeministrit italian, Macron ishte i pari që çoi mesazh. Ai është i angazhuar në një tjetër gjë për Europën, është në një konfiguracion krejt tjetër. Macron kërkon nevojën për ta rishikuar komplet skemën me rrathë, Europa e euros, e Shengenit, e Sigurisë dhe se vendet nuk kanë pse të jenë të gjitha në tavolinë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ai i ka të gjitha të drejta, por unë i them se ti gabon, se kjo nuk e lehtëson procesin e hapjes së negociatave. “Nuk po themi do vijmë tani. Koha kur do ulemi për të qenë anëtarë është e largët akoma. Të hapim negociatat, sepse presioni rritet dhe kthehen në kritere ndëshkimi i zyrtarëve të lartë. Të bëjmë shtetin që kam 6 vjet që po strapacohem”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ne jemi në një situatë që kemi kapërcyer pengesa të jashtëzakonshme”. “Kur dola nga takimi me Kancelaren çfarë nuk u tha: e rrafi, e përcolli, doli duke qarë… Atë ditë unë kam thyer përfundimisht barrierën, se kisha përballë një njeri që Shqipëria duhet t’i ngrejë monument këtu, sepse i ka mbështetur shqiptarët nga dita e parë, në të fundit”, tha Rama.
Kryeministri tha se ajo që ka theksuar është se “BE është në të drejtën e saj të mbyllë derën, por mos të na bien në qafë duke shtuar bishta”.
“Shqipëria sot është më e avancuar se Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi me Reformën në Drejtësi. Asnjëra nuk e ka bërë. Ne jemi model dhe kur vjen puna te lufta ndaj korrupsionit e bën sistemi. Dhe këtë sistem që po ndërtojmë ne, këta të tjerët akoma nuk kanë filluar ta ndërtojnë. Shqipëria ka bërë për hapjen e negociatave shumë më tepër se çdo vend tjetër”, tha Rama.
Fraksion.com