Rama: Do t’ia heq kufijtë rajonit…
Kryeministri Edi Rama, deklaroi të enjten në mbrëmje se plani A, paralelisht me integrimin në Bashkimin Europian është heqja e kufijve brenda rajonit të Ballkanit.
Sipas Kryeministrit Rama, plani është krijimi i një tregu me mbi 20 milionë njerëz që bashkërendojnë mes njëri tjetrit, ndërsa shtoi se sot biznesi humbet 1100 vite kohë pritje për kamionët në kufi.
“O do t’ja heqim kufijtë këtij rajoni, o mua s’do më dalë e keqja. Ky është plani A, që është paralelisht me ecurinë e integrimit në BE, duhet të nxisim integrimin rajonal, s’ka punë me ish-Jugosllavinë kjo. Do e bëjmë rajonin tonë një treg me 20 e ca milionë njerëz që bashkëveprojnë me njëri-tjetrin. 1100 vjet kohë harxhohet nga pritja e kamionëve në kufi. E di çdo të thotë, kontrolle pa fund, që duhen hequr. Ne do bëjmë një takim me presidentin e Maqedonisë së Veriut dhe atë të Serbisë për ta shtyrë më tutje këtë proces. Shumë dakord me të gjitha, por duhet që Serbia dhe Maqedonia e Veriut, dhe mbi të gjitha Serbia të pranojë të heqë kufijtë. Do hiqet kufiri Shqipërisë me Kosovën dhe do bëhet sikur shkon nga Shkodra në Vlorë, kjo është A-ja”, tha Rama.
“Të trija vendet dhe më pas do ftohen të gjithë të tjerë. S’do vazhdojmë më me historinë njëri vend ka një problem dhe nuk flet me të tjerët, duhet të ecim përpara. Duhet të kemi liri lëvizje si në Europë, dhe të jemi si një Europë këtu, që është gati për të shkuar te Europa e madhe atje. Njerëzit duhet të lëvizin lirisht: serbët, shqiptarët dhe maqedonasit, s’janë njerëz të kategorisë së dytë dhe kufiri i vetëm do të jetë kufiri i jashtëm”, nënvizoi Rama.
Fraksion.com