Prokurorja Esmeralda Keshi zgjidhet anëtare e KLP-së; Prela përjashtohet nga votimi
Esmeralda Keshi u zgjodh anëtarja më e rë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ish-drejtuesja e Institucionit të akuzës Dibër u shpall fituese me 133 vota, përkundrejt rivalit të saj në garë Vladimir Mara, i cili grumbulloi vetëm 109 të tilla.
Vendi vakant në “qeverinë e prokurorëve”, u krijua pas largimit të Gentian Osmanit, i cili u rrëzua në Kolegjin e Posacëm të Apelit në kuadër të procesit të vettingut.
Më shumë sesa zgjedhja e një anëtari në institucionin e rëndësishëm që qeveris komunitetin e prokurorëve, votimi në Asamblenë e Përgjithshme të Prokurorëve, mori rëndësi të vecantë përsa kohë që këshilli, pjesë e të cilit u bë Keshi, ka një sfidë tejet të rëndësishme përpara, renditjen e kandidatëve për prokurorë të përgjithshëm me mandat kushtetues.
Tre pretendenët për postin e kryeprokurorit, Arta Marku, që synon mandat të plotë, Olsian Cela dhe Fatjona Memcaj, synojnë të renditen të parët në listë, pasi nëse Kuvendi nuk gjen konsensus për të votuar njërin prej tyre me 84 vota, atëherë ai që kryeson listën, emërohet automatikisht nga këshilli në krye të institucionit qendror të akuzës.
Ndaj më shumë sesa gara mes dy kandidatëve, Keshi e Mara, vlen për t’u theksuar përpjekja e kandidatëve për kryeprokuror në kërkim të një vote në këshill.
Po për cilin nga kandidatët që garon për postin e prokurorit të përgjithshëm do të votojë Esmeralda Keshi?
Gruaja që u përplas me Arta Markun për dosjen e bujshme 184 u shpreh se detyrën e sheh si një privilegj.
Fraksion.com