AktualitetRajoniTë fundit

Pompeo konfirmon mbështetjen e SHBA-së për Malin e Zi

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka arritur në Mal të Zi, ku ka zhvilluar takime me zyrtarët e lartë shtetëror.

Gjatë qëndrimit në Podgoricë, sekretari Pompeo konfirmoi se Uashingtoni edhe më tutje do të mbështesë Malin e Zi në rrugën e integrimit evropian.

“Në shikojmë në ju dhe qeverinë tuaj si udhëheqës në përpjekjet rajonale në luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave”, tha Pompeo në konferencën me gazetarë pas takimit më zyrtarët e Malit të Zi.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Malit të Zi, si partnerë dhe aleatë,” tha sekretari Pompeo.

Bashkëpunimi ushtarak

Shtetet e Bashkuara dhe Mali i Zi po përfundojnë marrëveshjen e tyre më të madhe dypalëshe për armët, bëri të ditur sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

“SHBA-ja shpreson të dorëzojë automjete të lehta taktike me vlerë 36 milionë dollarë aleatit tonë të NATO-s pasi të përfundojë kjo marrëveshje” tha Pompeo.

Ndërkaq, kryeministri malazez, Dushko Markovi e quajti vizitën e sekretarit Pomepo si historike dhe premtoi se do të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformimin e mëtejshëm të gjyqësorit dhe lirinë e mediave.

“Është e rëndësishme në aspektin strategjik që SHBA-ja dhe BE-ja të jenë të pranishëm në Ballkanin Perëndimor”, tha Markoviq.

Siguria kibernetike

Sekretari amerikan i Shtetit ka folur edhe për bashkëpunimin mes Malit të Zi dhe SHBA-së në fushën e sigurisë kibernetike.

“Falë bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me Malin e Zi në fushën e sigurisë kibernetike, ne kemi qenë në gjendje të zhvillojmë mbrojtje kundër një program kompjuterik keqbërës rus. Kjo, tani mbron miliarda pajisje në të gjithë botën”, tha Pompeo.

Më vonë gjatë ditës, Pompeo po ashtu do të qëndrojë në Maqedoninë e Veriut.

Mali i Zi është anëtari më i ri i NATO-s. Ky vend u anëtarësua në aleancën veriatlantike në qershorin e vitit 2017, pavarësisht kundërshtimeve të Rusisë.

Para nisjes së vizitës së Pomepos në Mal të Zi, një zyrtar i lartë amerikan, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se sekretari Pompeo gjatë vizitave të tij, do të diskutojë për “përpjekjet ruse për të nxitur përçarje” në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.

“Është në dorën e këtyre shteteve sovrane dhe të pavarura, si dhe njerëzve të tyre, që të marrin vendime në drejtimin që duan të shkojnë dhe vendimi i tyre për t’u anëtarësuar në NATO, mendoj se ka qenë i rëndësishëm për ta”, ka thënë ky zyrtar.

Zyrtari amerikan ka përmendur edhe përpjekjen për puç më 2016 në Mal të Zi, që kishte për qëllim të ndalte planet e Podgoricës për t’u anëtarësuar në NATO.

Një gjykatë malazeze lidhur me këtë ngjarje ka dënuar politikanë opozitarë.

Rusia gjithashtu është përpjekur që të nxiste përçarje lidhur me marrëveshjen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, lidhur me kontestin e emrit, që sipas këtij zyrtari amerikan, i hap rrugën Shkupit që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian./REL

 

Fraksion.com