Osmani: Vizita e sekretarit Pompeo në Maqedoninë e Veriut, historike
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zëvendës kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, foli për rëndësinë e vizitës së sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo në Ballkanin Perëndimor. Ai tha se vizita e zotit Pompeo në Maqedoninë e Veriut është historike dhe mesazh i qartë i mbështetjes amerikane në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Zoti Osmani tha se pret që vendet anëtare të BE-së të votojnë pro hapjes së negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në familjen më të madhe evropiane, meqenëse thotë ai, vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet. Ndërkohë më 30 dhjetor pritet që Maqedonia të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s. Zoti Osmani tha se ky proces është i pakthyeshëm dhe do të ndodhë. Ai komentoi edhe rastin korruptiv të njohur si “zhvatja”. Për më shumë të ndjekim intervistën që i mori atij kolegu i shërbimit maqedon të Zërit të Amerikës, Jane Bojadzievski.
Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, sekretari i shtetit Mike Pomepo, do të vijë në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Çfarë mesazhi prisni të përcjellë ai në këtë vizitë dhe sa reale janë shanset që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s në samitin e Londrës?
Bujar Osmani: Vizita është historike, për shkak se vjen pas pothuajse 18 vitesh, vizitë e një sekretari të shtetit në Maqedoninë e Veriut. Dhe është në kohë për shkak se do të japë mesazhe të duhura disa ditë para vendimit të Bashkimit Evropian dhe kujtoj se kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe në rrugëtimin tonë evropian ka qenë i rëndësishëm dhe mbetet i rëndësishëm, por edhe për integrimin tone në NATO. Edhe pse procesi i NATO-s është i pakthyeshëm, ne defakto jemi anëtar i NATO-s, por presim rrumbullakësimin teknik të ratifikimit nga vendet të cilat kanë mbetur dhe shpresoj që me 4 dhjetor edhe formalisht do bëhemi anëtar i NATO-s. Mirëpo, mendoj që rëndësi të madhe ka edhe vizita e tij rajonale ose turneu i tij rajonal, që jep një mesazh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe përkundër të gjitha dilemave dhe spekulimeve, mbeten të angazhuara në Ballkanin Perëndimor dhe në rajon. Dhe për ne, kjo kujtoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe pozitive.
Zëri i Amerikës: Parlamenti gjerman votoi që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të marrin dritën e gjelbër, pra datën për fillimin e negociatave me Bashkimin Evrropian. Megjithatë Franca dhe Holanda janë të rezervuara, si për Maqedoninë e Veriut edhe për Shqipërinë.
Bujar Osmani: Kujtoj se vendimi i Bundestagut gjerman ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për të hapur rrugën për vendet tjera për të sjellë një vendim të ngjashëm. Për shkak se ishte përshtypja se shumë vende anëtare prisnin se çfarë pozicionimi do të ketë Gjermania në këtë drejtim. Prandaj i jemi shumë falenderues kancelares Merkel por edhe Bundestagut gjerman për këtë vendim të pakushtëzuar për Maqedoninë e Veriut për të filluar bisedimet. Tani pritet nga Presidenti Macron të përcjellë vendimin e tij. Unë pres edhe nga paralajmërimet që dëgjuam dje nga ministrja për Evropën se ky vendim do të jetë i qartë dhe do të jetë substancial, që e nënkuptoj si vendim pozitiv për hapjen e bisedimeve. Kurse Holanda presim më 8 dhjetor të hapë debatin në parlament dhe duke pasur parasysh se vitin e kaluar parlamenti holandez ishte pro çeljes së bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, nuk pres ndonjë vështirësi në këtë drejtim. Më shumë do të jetë çështja se si do të trajtohet Shqipëria sa i takon pozicionit të Holandës. Mirëpo në përgjithësi, shoh që atmosfera është pozitive dhe vendet anëtare e kuptojnë se sa i rëndësishëm është mesazhi që do të dërgojnë më 15 tetor për stabilitetin por edhe procesin e evropianizimit të rajonit.
Zëri i Amerikës: Maqedonia e Veriut pret vendimin e Bashkimit Evropian më 15 tetor. Cila mund të jetë lidhja e këtij vendimi me ligjin e prokurimit publik si dhe me aferën e fundit “zhvatja”?
Bujar Osmani: Maqedonia e Veriut nuk ka kushte shtesë formale, kushte formale për të hapur bisedimet. Mirëpo kujtoj se shumë vende anëtare janë të lidhura me nevojën, për të miratuar ligjin për prokurori publike dhe atë për dy arsye. Një për shkak se do të rregullojë çështjen e egzistimit të prokurorisë së veçantë që do të merret me korrupsionin e nivelit të lartë, por edhe garanton se të gjitha lëndët që i ka trajtuar prokuroria speciale do të marrin një epilog institucional. Moment i dytë pse mendoj që ligji është i rëndësishëm, për të treguar se ne kemi kapacitet për të arritur konsensus për çështje të nivelit strategjik siç është Bashkimi Evropian apo etablimi i shtetit ligjor. Kurse sa i takon rastit zhvatja, gjithashtu shumë vende anëtare kanë shprehur interes dhe vlerësojnë se ky është një test para të cilit janë vendosur institucionet, për të treguar se a janë pjekur për t’u ballafaquar me sfida të tilla të korrupsionit të komplikuar dhe të organizuar. Dhe unë mendoj se nëse Prokuroria vazhdon me intensitet, paanshëm dhe në mënyrë efikase të trajtojë dhe të zbardhë këtë rast, ne mund ta shëndërrojmë këtë krizë në një mundësi para vendeve anëtare.
Fraksion.com