Kapen 2 tonë drogë në Turqi; Transportoheshin me tekstilet shqiptare
Një sasi rekord prej dy tonë drogë marijuanë e modifikuar gjenetikisht është gjetur në dy minibuse që dyshohet se drejtoheshin nga shtetas shqiptarë. Mjetet e ndaluara nga policia turke po transportonin prodhime tekstile nga Shqipëria.
Policia turke ka sekuestruar një sasi rekord prej gati 2 tonë drogë me dy mjete që vinin nga Shqipëria.
Lënda narkotike marijuanë e modifikuar gjenetikisht, me një peshë prej 1,880 tonë, u gjet e paketuar në thasë brenda minibuseve të dy shtetasve të huaj.
Nuk përcaktohet nëse ata janë shtetas shqiptarë.
Raportohet se ngarkesa origjinale e mjeteve ishin prodhime tekstile shqiptare.
Skuadra turke kundër narkotikëve njoftoi se autorët po mbaheshin nën vëzhgim prej 6 muajsh.
Tetë operacione të tjera në vend vijuan me kapjen e rreth 60 kilogramë heroinë, 13 kilogramë kokainë të fshehura në fikës portativë të zjarrit, 8 kg rrëshirë kanabis, tre armëve automatike dhe 300 fishekëve.
16 të dyshuarit, përfshirë edhe dy shtetasit e huaj, mendohet se vepronin si pjesë e një rrjeti të organizuar të trafikut ndërkombëtar.
Arrestimi dhe shoqërimi i autorëve erdhi në vazhdën e një operacioni të bashkërenduar në tetë qytete të ndryshme të Turqisë në datat 15-30 shtator.
Turqia mbetet një urë e rëndësishme për kalimin e drogave mes kontinenteve.
Autoritetet turke thonë se problematika sfidon sigurinë publike dhe kombëtare dhe është tejet e vështirë për t’u adresuar përfundimisht.
Vetëm në Stamboll vitin e kaluar u sekuestruan mbi 9 tonë drogë ndërsa si të dyshuar u shoqëruan gati 63 mijë persona.
Fraksion.com