Helmoi vjehrrën; Prokuroria kërkon dënimin me 35 vite burg për Marjana Çmetën
Prokuroria ka dhënë pretencën ditën e sotme për Marjana Çmetën, të renë e cila akuzohet për helmimin e vjehrrës së saj.
35 vite burg kërkoi organi i akuzës për të renë, e cila akuzohet për krimin e kryer dy vite më parë, ku si pasojë e hedhjes së helmit në pije, gjeti vdekjen Lirie Lami.
Fillimisht ngjarja u raportua si vetëvrasje por pas dyshimeve të familjarëve, policia arriti që të zbardhë të vërtetën.
Krahas 22-vjeçares policia arrestoi pas ngjarjes për moskallëzim krimi edhe bashkëshortin e viktimës Agim Lami, hoxhën Hysen Shehu dhe mikun e tij Arben Sakiun.
Hoxha Hysen Shehu, ndihmoi në zbardhjen e ngjarjes, duke treguar se kishte bërë
regjistrimin me video gjatë rrëfimit që kishte bërë Marjana, ku pranonte se kishte vrarë nënën e të shoqit.
Por Hoxha deklaroi se nuk ia lejonte feja që të bënte kallëzime për rrëfimet e besimtarëve. Po ashtu ai ka thënë se në fillim ka menduar se Marjana Çmeta kishte çrregullime mendore dhe se nuk ka besuar se Lirie Lami është vrarë prej saj.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 30 prill të vitit 2017 në Kamëz, ku Marjana e cila asokohe ishte shtatzënë, i hodhi fostoksinë në gotën me lëng portokalli vjehrrës së saj Liries.
Avokati i Marjana Çmetës ka kërkuar uljen e dënimit, duke qenë se është me fëmijë të vogël.
Fraksion.com