Dëshmia e ambasadorit Volker, interpretime të ndryshme
Ligjvënësit dëgjuan të enjten dëshminë e ish-të dërguarit të posaçëm amerikan për Ukrainën, Kurt Volker i cili është bërë një figurë qendrore në hetimin për procedurën e shkarkimit ndaj Presidentit Donald Trump.
Ishte e para mes një sërë intervistash me zyrtarë brenda dhe jashtë Departamentit të Shtetit.
Zoti Volker paraqiti dokumenta në intervistë, përfshirë kopje mesazhesh telefonike dhe fotografi, sipas një personi që nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht lidhur me seancën private.
Hetuesit kishin në plan ta pyesnin zotin Volker për rolin që ai mund të ketë luajtur në përpjekjet e zotit Trump për t’u bërë presion zyrtarëve ukrainas për të dhënë informacion dëmtues për të birin e ish-nënpresidentit, Joe Biden.
Zoti Volker dha dorëheqjen të premten pasi iu kërkua të dëshmonte në Kongres lidhur me ankesën e një informatori, që përshkruan se si zoti Trump, në një telefonatë më 25 korrik vazhdimisht e nxiti Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy për një hetim të zotit Biden dhe të birit të tij Hunter, ndërsa administrata e tij vonoi ndihmën ushtarake për të ndihmuar Ukrainën në përpjekjet kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia. Sipas ankesës, zoti Volker u takua në Kiev me zotin Zelenskiy dhe figura të tjera politike ukrainase, një ditë pas telefonatës dhe dha këshilla për mënyrën se si duhej reaguar nga kërkesave të zotit Trump.
“Mendoj se ai po bënte ç’të mundej”, tha ish-diplomati amerikan Daniel Fried, që i përshkroi veprimet e ish-kolegut të tij si përpjekje për të këshilluar ukrainasit se si të silleshin me Presidentin Trump “në rrethana të vështira.”
Ish-ambasadori amerikan në NATO, Volker ra dakord për një intervistë me dëshirën e tij me ligjbënës dhe këshilltarë të tyre, kryesuar nga kreu i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Adam Schiff. Seanca filloi të enjten në mëngjes dhe vazhdoi për disa orë.
Ligjvënësit republikanë, nuk i dhanë shumë rëndësi asaj që dëgjuan.
“Asgjë nga ato që tha (zoti Volker) nuk përputhet me variantin e demokratëve për procedurën e shkarkimit”, tha anëtari republikan i Kongresit, Jim Jordan.
Republikanët argumentuan gjithashtu se duke qenë se demokratët ende nuk kanë votuar në Dhomën e Përfaqësuesve për të hapur zyrtarisht hetimin për procedurën e shkarkimit, mungonte autoriteti për të përcaktuar disa rregulla.
Të mërkurën vonë në mbrëmje, republikani më e lartë i komisionit të Punëve të Jashtme ligjvënësi Michael McCaul tha se u alarmua kur mësoi se marrja në pyetje e zotit Volker do të udhëhiqej nga stafi i komisionit të Zbulimit. Ai foli me shqetësim edhe rreth faktit se gjatë kësaj seance demokratëve të komisionit të Punëve të Jashtme do t’u lejohej të kishin të pranishëm dy anëtarë të stafit të tyre ndërsa republikanëve vetëm një.
Roli i zotit Volker si edhe konfirmimi nga ana e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo se ai kishte marrë pjesë në telefonatën e Presidentit Trump më 25 korrik, e ka përfshirë Departamentin e Shtetit në këtë debat./VOA
Fraksion.com