“Byzylykët elektronikë”; Në Bashkinë e Shkodrës, fiton tender kompania e denoncuar nga PD
Kryetarja ende në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, vazhdon që të firmosë për tenderat e institucionit të saj, megjithëse mandati i ka mbaruar para pak javësh. Dhe, tenderin më të fundit, ia ka dhënë një firme që partia e saj, PD-ja, e ka denoncuar si të paracaktuar.
Gazeta Shqip ka siguruar disa dokumente nga vetë Bashkia e Shkodrës, ku Ademi ka shpallur fituese firmën “RATECH” në tenderin me objekt “furnizim vendosje kamera sigurie për ambiente publike”. Kjo firmë, do të marrë rreth 60 mijë euro nga Bashkia e Shkodrës për këtë shërbim.
Në këtë tender, “RATECH”, nuk ka pasur ofertën më të ulët, megjithatë u shpall fituese nga Ademi. Por, po të bësh një kërkim të thjeshtë, rezulton se kjo firmë ka qenë një nga 3 firmat që u akuzua nga eksponentë të Partisë Demokratike për skandalin e tenderit për bylylykët.
Në fakt, këtë tender e ka denoncuar z.Gazmend Bardhi, në kohën kur ka qenë ministër teknik para dy vitesh. Zoti Bardhi akuzonte paraardhësen e tij që kishte bërë tender fiktiv, madje përmendte edhe emrat e kompanive në tender. Megjithatë, dy vite më vonë, Voltana Ademi, akuzat janë harruar dhe e njëjta kompani është shpallur fituese në një bashki që drejtohet nga Partia Demokratike.
Sipas dokumenteve të këtij tenderi rezultojnë se kanë marrë pjesë 3 kompani. “PC STORE” me ofertë 5 430 500 lekë, “RATECH” sh.p.k me 5 511 266 lekë dhe “Elektrosek” sh.p.k. nuk ka paraqitur ofertë. “PC STORE” u skualifikua, megjithëse kishte ofertë më të ulët dhe fituese u shpall “RATECH”.
Kjo e fundit është denoncuar nga vetë ish-ministri Bardhi, aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i PD-së në prokurorinë e Tiranës. Kallëzimi u bë pas një hetimi administrativ, ku rezultoi se firmat, ndër to edhe “RATECH”, nuk kishin bërë kqyrjen e byzylykëve. Tenderi për këtë shërbim dhe 300 byzylykët u bë në fillim të vitit 2017 ku në një vlerë prej afro 2 milion euro. Në këtë tender rezulton se janë shkelur një sërë procedurash dhe është favorizuar bashkimi i operatorëve fitues./Shqip