Autoritetet kërkojnë qasje tek mesazhet e koduara në Facebook
Autoritetet e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Australisë i kanë kërkuar Facebook-ut që t’u mundësojë qasjen tek mesazhet e koduara.
Kërkesa është bërë me një letër të hapur drejtuar shefit ekzekutiv të kompanisë Mark Zuckerberg dhe firmosur nga prokurori i Përgjithshëm amerikan William Barr, sekretari i Brendshëm Britanik Priti Patel dhe ministri i Punëve të Brendshme të Australisë Peter Dutton. Në letrën drejtuar Facebook-ut dhe kompanive të tjera të ngjashme, u kërkohet atyre që të lejojnë, siç thuhet, zbatimin e ligjit duke mundësuar qasjen tek mesazhet “sipas një formati të lexueshëm e të përdorshëm”, sa herë të jetë e nevojshme.
“I kërkojmë Facebook-ut të mos bëjë përpara me planin sipas të cilit vetëm ata që shkruajnë dhe e marrin mesazhin, mund ta lexojnë atë, pa përfshirë mjete për qasje të ligjshme në përmbajtjen e mesazheve me qëllimin për të mbrojtur qytetarët“, thuhet në letrën që mban datën 4 tetor.
Letra është një tjetër përpjekje e Departamentit amerikan të Drejtësisë për të bindur kompanitë e teknologjisë që të dobësojnë ose eliminojnë kodimin, bazuar në kërkesat e agjencisë së zbatimit të ligjit.
Facebook-u e mbrojti vendimin e saj të enjten, duke thënë se njerëzit kanë të drejtë të zhvillojnë biseda private në internet, duke shtuar se kompanitë tashmë janë në gjendje t’u përgjigjen agjencive qeveritare kur marrin kërkesa të vlefshme ligjore.
WhatsApp-i dhe Facebook po përdorin tashmë një sistem që u mundëson vetëm atyre që shkruajnë e marrin mesazhin ta lexojnë atë, përjashtuar edhe Facebook-un. Kompania ka në plan ta shtrijë këtë sistem edhe në platfoma të tjera si Messenger-i dhe InstagramDirect-i.
Fraksion.com