AktualitetDialogKosovaTë fundit

Ambasadori i ShBA në Gjermani përfaqësues i presidentit Trump për bisedimet Kosovë Serbi

Presidenti Trump njoftoi të enjten se do të emërojë ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

Richard A. Grenell është ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani që nga muaji maj i vitit të kaluar.

Grenell, ekspert i politikës së jashtme, është themelues i firmës “Capitol Media Partners” në vitin 2010, që ofron konsulencë për çështje të jashtme.

Ambasadori Grenell, ka qënë zëdhënës i ambasadës së Shteteve të Bashkuara në OKB për shtatë vjet, 2001-2008, duke e mbajtur këtë post më gjatë se çdo ambasador tjetër, duke shërbyer për katër ambasadorë të ndryshëm.

Ai mban gradën Master për Administratën Publike nga universiteti i Harvardit.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit ka ngecur qëkur Kosova iu ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

Qeveria e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrim, edhe pas thirrjeve të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian për heqjen e kësaj mase,  duke thënë se Serbia fillimisht duhet ta njohë Kosovën.

Autoritetet në Serbi, në anën tjetër, janë pozicionuar për mosvazhdimin e dialogut derisa të hiqet taksa.

Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja vendet që të përparojnë drejt integrimit evropian.

Ndërkohë administrata amerikane, në fund të gushtit, ka emëruar diplomatin Matthew Palmer të dërguar të posaçëm për Ballkanin.

 

Fraksion.com