AktualitetKosovaTë fundit

Roli i ish-këshilltarit të Trumpit në zgjedhjet në Kosovë

“Po të mos ishte Amerika, ne nuk do të ishim sot këtu”, thotë Tahir Hajdari, shitës i gjësendeve shtëpiake në Prishtinë.

“Marrëdhëniet me Amerikën duhet të ruhen gjithmonë”, porosit ai.

Dashuria që kosovarët ndjejnë ndaj Shteteve të Bashkuara nuk është e fshehtë. Për të flasin edhe disa hulumtime të organizatës Gallup, sipas të cilave, qytetarët e Kosovës janë mbështetësit më të mëdhenj në botë të udhëheqjes amerikane.

Politikanët e Kosovës janë të vetëdijshëm për këtë.

Andaj, në fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit, “lidhjet me Amerikën” po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e adresimeve publike të disa udhëheqësve politikë.

Për to veçanërisht flet kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kandidat për kryeministër. Ai thotë se qytetarët, më 6 tetor, do të zgjedhin midis forcimit të bashkëpunimit me Amerikën, me një qeveri të udhëhequr nga ai, ose izolimit dhe korrupsionit më të madh, me një qeveri të udhëhequr nga rivalët e tij politikë.

Veseli thotë se presidenti amerikan, Donald Trump, është mik i madh i Kosovës, se Amerika është aleatja më e madhe e Kosovës dhe se e ardhmja e Kosovës është më e sigurt me mbështetjen e saj të fuqishme.

Në Kosovë janë shfaqur edhe posterë me fotografinë e Veselit dhe Trumpit, ndërsa në fushatën e Veselit është i angazhuar pikërisht ish këshilltari i presidentit amerikan në fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Samuel (Sam) Nunberg do t’i ofrojë shërbime Partisë Demokratike të Kosovës në fushën e marrëdhënieve me publikun, komunikimeve dhe këshillimeve strategjike, nga periudha 26 shtator deri më 15 dhjetor.

Siç thuhet në një dokument zyrtar, të dorëzuar pranë Departamentit amerikan të Drejtësisë, ai do të angazhohet në përgatitjen e fjalimeve dhe këshillimin e kandidatëve, si dhe në raportimin dhe informimin e mundshëm të zyrtarëve amerikanë për rezultatet e zgjedhjeve.

Për këtë shërbim, Nunberg do të paguhet 110,000 dollarë dhe, përveç kësaj, Partia Demokratike e Kosovës do të bartë koston edhe të udhëtimeve eventuale në klasë biznesi, të hoteleve dhe të shërbimeve të telefonit dhe internetit.

Bazuar në të njëjtin dokument, ai qëndron në Kosovë nga 22 shtatori deri më 8 tetor.

Mediat kanë shkruar më shumë për Nunbergun kur ai ka marrë thirrje për gjyq nga hetuesi i posaçëm amerikan, Robert Mueller, i cili ka hetuar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA.

Nunberg ka qenë i përfshirë edhe në fushatën zgjedhore të presidentit amerikan, Donald Trump, por është pushuar nga zoti Trump në vitin 2015, për shkak të disa postimeve me përmbajtje raciste në rrjete sociale.

Vëmendjen e publikut kosovar, në mënyrë të veçantë, e tërhoqi tubimi i Partisë Demokratike të Kosovës, të martën në Gjilan, ku u shfaq edhe Matthew Whitaker, i cili ka qenë ushtrues detyre i prokurorit të përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara nga nëntori 2018 deri në shkurt të këtij viti.

Paraprakisht ai ka qenë shef i stafit të prokurorit të përgjithshëm. Nga Departamenti i Drejtësisë ka dhënë dorëheqje në mars të vitit 2019, ndërsa aktualisht është drejtor i “Axiom Strategies”, kompani këshilluese e Partisë Republikane në SHBA.

Në tubim, Whitaker tha se zgjedhjet e ardhshme në Kosovë kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe mundësitë ekonomike për qytetarët e Kosovës dhe se këto synime mund të arrihen me një kryeministër që do miqësi dhe mbështetje nga SHBA-ja, e ai, sipas tij, është Kadri Veseli.

Në fushatën parazgjedhore në Kosovë, për lidhjet me Amerikën flasin edhe udhëheqës të tjerë politikë, por më pak.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke reaguar ndaj deklaratave të Veselit, ka thënë se “nëse dikush është me Amerikën, ajo është Lidhja Demokratike e Kosovës, sepse Ibrahim Rugova (kryetari i parë i kësaj partie) e ka shtruar rrugën kah Amerika, e jo ata që fotografohen dhe keqpërdorin presidentin e SHBA-së”.

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, ka thënë se ka marrëdhënie të mira me amerikanët dhe se Amerika është aleate e Kosovës dhe jo e politikanëve të caktuar.

Pas gjithë kësaj, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, të martën pasdite, lëshoi një deklaratë për mediat:

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk favorizon ose mbështet asnjë parti politike ose kandidat në zgjedhjet e kësaj jave”.

“Ne e respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuesve në Kosovë për të zgjedhur të ardhmen e tyre”, u tha në deklaratë./REL

 

Fraksion.com