AktualitetOp-EdTë fundit

Ribashkimi gjerman; Brezi tjetër, ju lutem!

A ka përfunduar ribashkimi gjerman pas gati 30 vjetësh? Aspak, thotë Kay-Alexander Scholz, ekziston edhe një trashëgimi e vështirë. Nga rinia kërkohet të bëjë një përpjekje të re për t’i integruar dy pjesët e Gjermanisë.

 Ndarja gjermane ndau shumë familje – motrat e vëllezërit u ndanë nga njëri-tjetri, fëmijët kishin halla dhe xhaxhallarë në pjesën tjetër të vendit. Ndërtimi i Murit në vitin 1961 do të thoshte gjithashtu edhe në ambiente më të ngushta, drama të mprehta. Shumica e atyre që e vuajtën këtë në moshë të rritur në atë kohë, ose kanë vdekur ose janë shumë të moshuar. Në këtë mënyrë mendohet se nuk janë më të gjithë ata, për të cilët ribashkimi ka qenë një dëshirë personale.

Ndarja për ta qe një gabim që sillte vuajtje, të cilat duheshin kapërcyer. Prandaj, gatishmëria e shumë gjermanoperëndimorëve për të ndihmuar të afërmit në Lindjen ekonomikisht shumë më të dobët, ishte e madhe. Ata dërgonin mijëra e mijëra pako kafeje, me fruta tropikale, me veshmbathje dhe çokollata të mira përtej kufirit të brendshëm gjerman, për në RDGJ.

Por edhe fëmijët e këtij brezi e përjetuan  në vitet 1970 dhe 1980 ndarjen gjermane si një situatë normale. Sepse ata u rritën ose në Republikën Federale ose në RDGJ – dhe kështu jetuan në botë krejt të ndryshme.

Lidhja biografike me “ndarjen” dobësohet

Në Perëndim, të rinjtë e viteve 1968 papritur i pyetën prindërit e tyre për rolin e tyrë në diktaturën naziste. Konceptet si “kombi” dhe “atdheu” papritmas u konsideruan të kapërcyera dhe filistine – internacionalizmi ishte në modë. Bashkimi Evropian ofroi një rrugëdalje të mirëpritur për çështjet e spostuara të fajit kombëtar. Kushërirët në Lindje në jetën e tyre të ngushtë, gri të diktaturës, jetonin shumë larg.

Pastaj erdhi revolucioni i vitit 1989, rënia e Murit të Berlinit dhe më pak se një vit më vonë ribashkimi gjerman. Por kur mbaruan ethet e festimit, Lindja e humbi shpejt përsëri rëndësinë. Edhe sot, 20 përqind e gjermanoperëndimorëve nuk e kanë vizituar kurrë Lindjen e Gjermanisë!

Pas “Kthesës”, siç u quajt ndryshe revolucioni i vitit 1989, vërtet që  nga Perëndimi u derdhën qindra miliarda në zhvillimin e pjesës lindore të rrënuar të vendit. Por kthesa për shumë gjermanë të Lindjes fillimisht kishte kuptimin e papunësisë – një në dy vetë humbi vendin e punës. Perëndimi që u hodh mbi ta, i cili vinte erë kaq të mirë në paketat perëndimore dhe që kishte premtuar parajsën, në realitet rezultoi një shoqëri e konkurrencës së pamëshirshme. Përfytyrimi idealist u venit shpejt. Ata që nuk mundnin ose nuk donin ta mbanin ritmin, u tërhoqën dhe filluan ta zbukurojnë në tregime RDGJ.

Integrimi ngeci – por shumë herët

Edhe partitë e humbën interesin për integrimin brendagjerman. Megjithëse paraqiteshin me krenari të dhëna ekonomike, se gjithçka ishte në përmirësim, gjë që ishte e vërtetë: askush nuk guxoi të debatojë për gabimet e kthesës dhe për humbësit e vërtetë të saj.

Në Perëndim, shumë nuk donin të dëgjonin dhe i quanin vëllezërit dhe motrat e tyre në Lindje “qaramanë lindorë”: ata duhet t’u jepnin fund historive pa fund negative. Kjo në një kohë kur gjermanët e Lindjes donin të flisnin vetëm për atë se si ndiheshin kur u zgjuan, si të thuash sa të hapësh e mbyllësh sytë, në një vend tjetër, me rregulla dhe ligje krejt të vetat dhe deri atëherë të panjohura për ta. Në fund të fundit, RDGJ hyri më 3 tetor 1990 në RFGJ, pra u shpërnda si shtet.

Të dy brezat – brezi i ndërtimit të Murit dhe brezi i rrëzimit të Murit – përjetuan shumë dhe pësuan shumë. Një pjesë e përjetimeve janë ende të parivlerësuara. Por gjërat e parivlerësuara – kështu na mëson historia – nuk zhduken: ato trashëgohen.

Partia populiste e djathtë, “Alternativa për Gjermaninë” e ka kuptuar këtë parim dhe e ka përdorur tashmë për vete. “Përfundoni Kthesën!” kjo është një parullë qendrore e saj në zgjedhjet në Lindje. Referimi te viti 1989 me sa duket pati sukses, sepse AFD-ja shënoi rezultate rekord në zgjedhje – veçanërisht te të rinjtë.

Vendosja e piketave për bashkëpunimin e ardhshëm

Ende ribashkimi, historia e Kthesës nuk ka përfunduar: ajo për të cilën nuk munden më apo nuk duan të flasin prindërit dhe gjyshërit është tani detyra e fëmijëve, e nipërve dhe mbesave.

A do ta pranojnë dhe si do ta pranojnë ata këtë trashëgimi, kjo do të ketë rëndësinë e vendosjes së piketave në rrugën e bashkëjetesës midis gjermanëve lindorë dhe atyre perëndimorë. Revolucioni paqësor dhe ribashkimi ishin dhe mbeten momente të lumtura të gjermanëve. Kjo histori duhet të vazhdojë të tregohet – dhe ata që e tregojnë të jenë e njëjta anë.

Nga ana tjetër, duhet guxim dhe vullnet politik për të folur për problemet e kohës së Kthesës. Do të ishte për të ardhur keq që t’ua lëmë këtë kapitull të historisë atyre që duan ta shfrytëzojnë në radhë të parë për luftën për pushtet politik. Lindja dhe Perëndimi nuk duhet të lejojnë më kurrë që t’i ndajnë!/DW

 

Fraksion.com