Punësimi dhe pagat në trend të rritjes së qëndrueshme
Rritja e punësimit dhe pagës mesatare është në trend të rritjes së qëndrueshme.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, rritja e punësimit në tremujorin e dytë, paralelisht me rënien në 11.5% të normës së papunësisë dhe me rritjen me 4.5% të pagës mesatare, sugjerojnë zgjerimin e kërkesës agregate (sasia e mallrave dhe shpenzimeve konsumatore) me impakt në rritjen ekonomike të vendit.
Në këtë kontekst argumenton Banka e Shqipërisë, nga këndvështrimi i kërkesës agregate, rritja e aktivitetit ekonomik ka pasqyruar zgjerimin e konsumit të stimuluar nga rritja e punësimit dhe pagave.
Sipas Bankës së Shqipërisë, përmirësimi i ndjeshëm i këtyre dy treguesve vitet e fundit është i mjaftueshëm për të siguruar shfrytëzim në rritje të kapaciteteve prodhuese në sektorët e ekonomisë në vendin tonë.
Ndërkohë që efektiviteti i politikave të ndërmarra nga qeveria shkon në favor të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe nxitjes së punësimit. ‘Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të ushqehet nga kushtet e favorshme financiare dhe nga zgjerimi i mëtejshëm i kreditimit, si dhe do të mbështetet nga bilancet e shëndetshme financiare të sektorit privat dhe nga përmirësimi i besimit”- citon Banka e Shqipërisë.
Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë 2019, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 3,4% dhe krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, ky tregues u rrit me 2,1%.
Ndërkohë që shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç zë 61,4%, nga më të lartat në rajon vlerësuar në vazhdimësi edhe nga institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN, Komisioni Europian, etj.
Rritja e punësimit dominon në sektorët turizëm hoteleri, bujqësi, tregti, shërbimet mbështetëse, aktiviteti informatik dhe telekomunikacioni./atsh
Fraksion.com