AktualitetPolitikëTë fundit

Ministri finlandez Haavisto: Problemet e brendshme të disa shteteve nuk duhet të pengojnë zgjerimin

Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, ka theksuar të mërkurën se qeveria finlandeze mbështet Shqipërinë për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Ministri finlandez, gjatë vizitës së tij në Tiranë, nënvizoi se problemet e brendshme të vendeve të BE nuk duhet të influencojnë në zgjerimin e saj drejt Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndodhen në Europë dhe BE duhet të vijojë procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Haavisto theksoi gjithashtu se vendi tij është mjaft i kënaqur nga bashkëpunimi me Shqipërinë.

Deklarata e Haavisto u bë sot, gjatë një konferencë të përbashkët me ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

“Edhe për mua është kënaqësi që jam këtu në Tiranë. Patëm një bashkëbisedim të shkëlqyer me ministrin dhe stafin e ministrisë. Pikësëpari, faleminderit për ngushëllimet për viktimat e sulmit të tmerrshëm në shkollë që ndodhi në pjesën lindore të Finlandës, ku pati dhe shumë studentë të plagosur. Dua gjithashtu të shpreh keqardhjen për tërmetin që ndodhi në fund të shtatorit këtu në Shqipëri. Qeveria finlandeze dhe Bashkimi Europian kanë dërguar disa ndihma për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti”, – tha ai.

“Kjo nuk është hera e parë që takohemi, kemi pasur takime të shpeshta dhe frutdhënëse. Kemi qenë në Helsinkit. Finlanda në fillim të qershorit mori presidencën në BE. Qeveria jonë është një koalicion me pesë parti. Kemi një program ambicioz, jo vetëm në lidhje me zgjerimin e BE, por dhe sa i takon klimës dhe mjedisit, duke i vendosur BE objektiva ambicioze për t’u realizuar deri në vitin 2050. Ne jemi mbështetës të mirë, të fortë për zgjerimin e BE drejt Ballkanit Perëndimor”, – tha Haavisto.

“Ballkani Perëndimor nuk është në një cep të Europës, por është në qendër të Europës. Ne mbështesim bashkëbisedimet që po zhvillohen me Malin e Zi dhe Serbinë dhe tani duam që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të nisin bisedimet. Ne nuk jemi të vetëm në marrjen e vendimit, por duhet që vendimi të ketë unanimitetin e të gjitha vendeve anëtare të BE”.

“Jemi në bisedime me gjithë vendet, por dhe me Tiranën në lidhje me progresin e bërë në shtetin ligjor, lirinë e shtypit, çështjen e të drejtave të njeriut, transparencës, jetën parlamentare, që janë shumë të rëndësishme, prandaj ju nxis të vijoni në rrugën që keni ndjekur deri tani. Këto ndryshime nuk bëhen për shkak të anëtarësimit në BE, por për zhvillimin tuaj. Ju jeni pjesë e Europës”, – theksoi Haavisto.

“Ka disa shtete në BE, që kanë problemet e tyre të brendshme, që nuk po ecin siç duhet. Por, problemet e tyre të brendshme s’kanë pse ta pengojnë procesin e zgjerimit. Ne jemi shumë të lumtur për të bashkëpunuar me Shqipërinë në shumë fusha. Jeni kandidat për Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara, do nisni presidencën në OSBE, detyrë shumë e rëndësishme që ne në Finlandë e ndjekim me shumë vëmendje. Jeni vend anëtar i NATO-s dhe jemi shumë të kënaqur që jeni në këtë aleancë”, përfundoi Haavisto.

 

Fraksion.com