“Çohu se erdhi policia për kontroll” Zbardhet dëshmia e Trejsi Sejdinit, ditën e arrestimit të Leonard Dukës
Prokuroria e Krimeve të Rënda vendos të tërheq për hetim të gjithë dosjet e të kërkuarit Leonard Duka, person i shpallur në kërkim pas vrasjes së ish policit, Santiago Malko.
Në fashikuj është e zbardhur edhe dëshmia e Trejsi Sejdinit, e cila rezulton të jetë e dashura e tij, dhe ditën e operacionit, më 8 prill 2019, është gjetur në banesën e tij.
“BalkanWeb” siguron dëshminë e Trejsi Sejdinit, aso kohe, e cila ka rrëfyer për grupin hetimor të gjitha veprimet e saj atë ditë.
“Në lidhje me këtë ngjarje është pyetur si person që ka dijeni për veprën penale, shtetasja Trejsi Sejdini, e cila është e dashura e shtetasit Leonard Duka, dhe u gjet në banesën e tij, në kohën që kanë shkuar punonjësit e policisë. Ajo ka shpjeguar veprimet e kryera prej saj gjatë asaj dite dhe faktin që ka folur në telefon me Leonard Duken, të cilin e njihte prej dy vitesh, pasi ishte i fejuari i saj. Kur ka shkuar në banesën e tij ka parë se aty ishin tre persona bashkë me Leonardin.
Sa ka hyrë në banesë ka shkuar për të fjetur në dhomë me Leonardin pasi ishte e lodhur. Në mëngjes rreth orës 08:00 ka qenë në gjumë, nuk e ka ndjerë Leonardin kur është ngritur, po ai i ka thënë të ngrihej se kishte ardhur policia për kontroll. Ajo nuk kishte dijeni në lidhje me fishekët e gjetur në banesën e Leonardit dhe armën e zjarrit të gjetur jashtë pallatit dhe sende të tjera.” thuhet në dosjen e Prokurorisë./ BalkanWeb