AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: 9 kushtet e Bundestagut, udhërrëfyes për daljen nga kriza

Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë organizoi sot një konferencë për mediet ku foli për procesin e hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“E vërteta është se përgjegjësinë për dështimin për herë të katërt për hapjen e negociatave e ka Edi Rama dhe askush tjetër. Është dështimi i tij personal. Nuk është dështimi i Shqipërisë, nuk është dështim i shqiptarëve. Është dështim i Edi Ramës. Ky njeri në pushtet prej 6 vitesh, vitin e fundit me dekret edhe ministër i Jashtëm dhe ky dështim ka vetëm vulën e tij përsipër. Premtoi se do të hapte negociatat dhe siç duket qartë dështoi siç ka dështuar në çdo premtim tjetër”, – tha Basha para gazetarëve të pranishëm në konferencë.

Sipas Bashës, kryeministri është i vetmi përgjegjës për situatën ekonomike dhe politike në vend. “Vendi është në krizë të gjithanshme. Ekonomia është në kolaps dhe kushtet e Shqipërisë sa vijnë e shtohen. Ishin 5, u bënë 7, tani  janë 9. Nëse do të ishte i vërtetë mashtrimi se këto vende janë kundër zgjerimit, pse i thonë po Maqedonisë dhe jo Shqipërisë? Arsyeja është e thjeshtë. Edi Rama ka dështuar në secilën prej fushave ku është kërkuar progres dhe tani i ikën përgjegjësisë”, – tha Basha.

Basha theksoi se 9 kushtet e Bundestagut përbëjnë udhërrëfyesin për daljen nga kriza dhe nëse kryeministri nuk është i gatshëm t’i zbatojë, sipas kryetarit të PD-së, ai duhet të hapë rrugën.

“9 kushtet e Bundestagut përbëjnë një udhërrëfyes për daljen nga kriza. Nuk kemi kohë për të humbur. Tani është koha që njerëzit e përgjegjshëm të tregojnë se dinë t’i dalin zot vendit. Është e qartë që atë që premtoi dhe që nuk e arriti dot për dy mandate nuk ka shans ta arrijë më. Ndaj ka ardhur koha të hapë krahun dhe të lejojë një vizion të ri, me rrugë të re dhe mundësi për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhje për t’i shërbyer qytetarëve shqiptarë”, – u shpreh Basha.

“Plani është mbi tavolinë”, – vazhdon Basha, – “plani është i qartë, bazohet në 9 kushtet e Bundestagut, ta marrë, ta zbatojë ose nëse nuk ka vullnet ta zbatojë, të hapë krahun se ka kush e zbaton”,- përfundoi kryetari i PD.

 

Fraksion.com