AktualitetPolitikëTë fundit

Shkarkimi i Metës; Rama:  E tha Venecia, e zeza mbi të bardhë, tani vendos komisioni i posaçëm

Kryeministri Edi Rama duke komentuar draftin e Komisionit të Venecias që evidentoi se Presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën lidhur me vendimin për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, deklaroi sot se “i takon komisionit të posaçëm për të gjykuar mbi shkeljen e bërë dhe për të konstatuar peshën e saj”.

Në një intervistë televizive, Kryeministri Rama tha se “nuk kam asnjë qëndrim për këtë, sepse është një çështje që i takon komisionit të posaçëm dhe ky komision ka të gjithë kompetencën për të gjykuar mbi shkeljen e bërë dhe për të konstatuar peshën e kësaj shkelje. Në fund nuk do të jetë një qëndrim politik, por i formësuar mbi gjykimin e atyre që e dinë këtë punë më mirë se ne të dy”.

I pyetur nëse Presidenti Meta e ka shkelur në mënyrë të rëndë Kushtetutën me anulimin e 30 qershorit, Rama tha se kjo “nuk është më puna ime. Qëndrimet i kam mbajtur në kohën kur ndodhi shkelja dhe për mua tani ajo që është shumë e rëndësishme që Komisioni i Venecias është shprehur, sikur unë shprehja në mënyrë të përsëritur kur ju të gjithë më pyesnit si do të bëhen zgjedhje me një parti dhe unë u thosha asnjë parti apo një grup nuk mund të marrin peng zgjedhjet duke thënë ne nuk do të marrim pjesë kështu që ju ngelët vetëm, prandaj hajdeni me ne. Këtë Venecia e ka thënë e zeza mbi të bardhë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme, ashtu siç besoj nuk ka asnjë diskutim bazuar tek dokumenti i Venecias se shkuarja në zgjedhje ka qenë vendim i duhur dhe se zgjedhjet janë plotësisht legjitime”, – nënvizoi Rama.

Ndërsa duke iu përgjigjur pyetjes se a do ta shkarkojë shumica Presidentin pas përgjigjes së Komisionit të Venecias, Kryeministri Rama theksoi se “përgjigja ime është shumë e thjeshtë dhe e qartë, unë e kam shprehur një opinionin tim, është krijuar një komision i posaçëm, i cili ka në përbërje njerëz të ligjit, që dinë të zbërthejnë të gjithë materien nga pikëpamja ligjore dhe ata do të na bëjnë ne sugjerimin e tyre si parlament dhe pastaj ne do të marrim vendimin tonë. Nuk kam asnjë minutë për t’u marrë me fatin e Ilir Metës”.

“Mbrëmë jam marrë me fatin e një djali që gjendej në një situatë dramatike që prej tetë vitesh e trajtojnë në shtëpi dhe u mungonte një krevat special për sëmundjen e tij, nuk kishin trokitur në dyert e autoriteteve, u desh një faqe në Facebook që e bëri të madhe dhe jam shumë i lumtur që sot djalin e kemi sjellë në Tiranë dhe i kemi bërë të gjitha ato që duhej dhe tani po kthehet në shtëpi, ku do të ketë edhe krevatin e krijuar posaçërisht për këtë sëmundje. Kjo është shumë më e rëndësishme se fati i Ilir Metës. Ilir Meta nuk ka asnjë problem shëndetësor dhe uroj të mos ketë kurrë, por për problemet e tjera të Ilir Metës nuk kam asnjë interes, fare”, – tha Rama.

I pyetur se Presidenti është shprehur se nëse Komisioni i Venecias do të deklaronte se ka shkelur Kushtetutën do të jepte dorëheqjen, por tani që drafti doli dhe e rrëzoi, a ka Kryeministri një këshillë për ish-aleatin? “Asnjë. U vonova teksa më prisnit, sepse po merresha me një tjetër çështje, të një familje në emigracion që duhet të kthejë trupin e një familjari dhe kërkonte ndihmë për procedurat me shtetin përkatës. U vonova, por ama edhe këtë gjë e zgjidhëm. Kemi gjëra shumë më të rëndësishme, sepse në fund të fundit, politika është e bukur sepse u shërben njerëzve dhe bëhet e shëmtuar kur kthehet në një territor të okupuar nga njerëz që grinden, përplasen, përzihen dhe ngatërrohen duke ua nxjerrë politikën nga hundët njerëzve. Unë mbase me vonesë, por kam vendosur ta braktis këtë territor”.

Kreu i Qeverisë përsëriti edhe njëherë që kjo është një çështje që i takon komisionit të posaçëm dhe Parlamentit.

 

Fraksion.com