AktualitetBota+Të fundit

Koreja e Veriut teston raketë të re

Koreja e Veriut testoi një raketë balistike që me sa duket është lëshuar nga një nëndetëse – përparim i rëndësishëm ky në programin e armëve të Phenianit. Testimi shihet si një provokim me rëndësi vetëm pak ditë përpara bisedimeve bërthamore në nivel pune me Shtetet e Bashkuara.

Ushtria e Koresë së Jugut thotë se është “shumë e mundur” që Koreja e Veriut të ketë testuar një raketë balistike të lëshuar nga një nëndetëse. Sipas Koresë së Jugut, raketa është lëshuar të mërkurën herët nga deti pranë qytetit bregdetar Wonsan.

Nga ana e tyre, zyrtarët japonezë thanë të mërkurën se raketa e Veriut ra në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë pranë prefekturës Shimane.

“Raketa, e cila duket se ka rënë në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë, është një kërcënim serioz për sigurinë e Japonisë, dhe, rënia në një zonë të tillë pa ndonjë njoftim paraprak ishte një veprim i rrezikshëm për avionët dhe anijet. Kjo është jashtëzakonisht problematike dhe shkel rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Taro Kono, ministër japonez i Mbrojtjes.

Seuli tha se raketa fluturoi rreth 450 kilometra, por arriti një lartësi prej 910 kilometrash, që do të thotë se ishte lëshuar me një trajektore që mund ta bënte distancën e saj maksimale shumë më të gjatë.

Ende nuk është e qartë nëse raketa u lëshua nga një nëndetëse apo një platformë nënujore.

Nëse konfirmohet, kjo do të ishte hera e parë që nga viti 2017 që Koreja e Veriut teston një raketë të aftë të përshkojë distanca që tejkalojnë atë që konsiderohet si “rreze e shkurtër veprimi”.

Provokimi vjen në një moment veçanërisht delikat. Të martën vonë, Zëvendës Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut tha se Pheniani dhe Uashingtoni kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime në nivel pune më 5 tetor. Palët do të kenë “kontakt paraprak” një ditë më parë, tha zyrtari.

 

Fraksion.com