AktualitetTë fundit

Dy familjet në Klos merren në mbrojtje; Detaje rrëqethëse të dhunës dhe plumbit në gojë

Fshati i vogël Xibër në Mat është tronditur nga ngjarja e rëndë e një dite më parë duke mos gjetur fjalë për të përshkruar atë që ka ndodhur.

Administratori i zonës dhe kreu i fshatit thonë se konflikti ishte i hershëm dhe se nuk ishte zgjidhur dot nga autoritetet vendore dhe të afërmit e të dy familjeve.

“Panorama” zbulon se pas mbërritjes në morgun e Spitalit të Burrelit, ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar se babë e bir kanë marrë nga një plumb fatal për jetën e tyre.

Floget Dakuci rezulton se është qëlluar një herë në shpatull, në krahun e zemrës.

Ndërsa babai i tij, Kujtim Dakuci, është qëlluar me një plumb në gojë. Sali Dakuci, pasi qëlloi ndaj të dyve, u largua në banesën e tij dhe në kushte të rënda psikologjike qëlloi veten në kokë.

Përveç plumbit, autori ka dhe shenja të tjera dhune. Kjo, pasi ai është goditur nga djali i vëllait të tij me hu, gjë e cila çoi më pas në masakrën me tri viktima.

Flogeti ka pasur shenja jete deri në Qendrën Shëndetësore Klos. Ndërsa Kujtim Dakuci është transportuar me një mjet privat nga Xibri drejt Spitalit “Xhavit Mara”, por pa mbërritur ende në qytetin e Burrelit, ka ndërruar jetë.

Për shkak të plagëve që kishte marrë dhe humbjes së madhe të gjakut, ai ka vdekur.

Të dyja banesat e vëllezërve të vdekur janë marrë në mbrojtje nga Policia. Mbi 10 efektivë policie vijojnë shërbimin pranë shtëpive, për të shmangur ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

 

Fraksion.com