Rasti i veçantë i Erionit; Rama: Do të ketë në shtëpi shërbimin e duhur dhe një infermier të dedikuar
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për rastin e Erion Xhangollit, nga fshati Barç i Korçës, i cili ka nevojë për kujdes të veçantë shëndetësor. Historia dramatike e 29-vjeçarit u publikua dje në rrjetet sociale, ndërsa kreu i qeverisë bën me dije se shumë njerëz i janë ankuar në Whatsapp, duke i dërguar mesazhe pafund.
Ndërkohë, Rama nënvizon se ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu kishte organizuar më herët vizitën dhe i riu po transportohet drejt spitalit në Tiranë.
Mirëpo, përveç lajmit të mirë për Erionin, i cili do të marrë trajtim të specializuar, Rama ndan edhe një tjetër shqetësim personal.
“Një falenderim edhe për faqen që e postoi rastin dhe faqet e tjera që e ripostuan. Më hapën punë me “bombardimin” duke publikuar edhe numrin tim, sepse do të kishte mjaftuar një sms, por përveç zgjidhjes së problemit kanë menduar edhe për të marrë “like”-t e rastit, kështu që s’ka problem”, shkruan Rama.
Komenti i plotë i kryeministrit:
Dje pasdite përmes një faqeje në fb u publikua një rast dramatik nevoje për kujdes të veçantë shëndetësor në fshatin Barç të Korçës. Si rrjedhojë e publikimit, pati një sensibilizim të lexuesve që e “bombarduan” zyrën time online në ëhatsap, duke dërguar linkun e faqes në fjalë.
E rëndësishme është të sqarohet se 29 vjeçari, Erion Xhangolli, pas një aksidenti të rëndë përpara 8 vjetësh në Greqi, ka marrë mjekimin në shtëpi sipas këshillimit të bërë atje dhe familja nuk i është drejtuar ndonjëherë autoriteteve tona shëndetësore.
Disave që linkun e shoqëruan me të shara e me broçkulla të tipit, “po vdes populli, se s’ka spitale”, etj., u them se duhet t’i bëjnë një rifreskim memories, e të kujtohen se çfarë rrumpalle e frikshme ishin spitalet deri para pak vitesh dhe nëse sot, ka ende shumë akoma për të bërë, duan s’duan ata, situata ka ndryshuar si dita me natën.
Të tjerët, shumicën e atyre që e çuan linkun, pa komente apo edhe me fjalë të edukuara kërkese për vëmendje nga ana ime, i falenderoj me respekt për njerzillëkun e tyre dhe përmes këtyre fotove, i informoj se qysh në momentin e parë të publikimit të videos së këtij rasti dramatik, Ogerta kishte organizuar vizitën e më pas, lëvizjen e djalit të sëmurë drejt Tiranës për sot në mëngjes.
Një falenderim edhe për faqen që e postoi rastin dhe faqet e tjera që e ripostuan. Më hapën punë me “bombardimin” duke publikuar edhe numrin tim, sepse do të kishte mjaftuar një sms, por përveç zgjidhjes së problemit kanë menduar edhe për të marrë “like”-t e rastit, kështu që s’ka problem:-)
RËNDËSI KA QË ERION XHANGOLLI, PO MERR SHËRBIMIN E DUHUR NË AUTOAMBULANCËN MODERNE, RRUGËS PËR NË SPITALIN E TRAUMËS NË TIRANË. MË PAS AI DO TË KETË NË SHTËPI KREVATIN SPECIAL QË KËRKON TRAJTIMI I PLAGËVE TË TIJ, SI EDHE NJË INFERMIERE TË DEDIKUAR QË DO TA NDJEKË SIPAS KALENDARIT MJEKËSOR👩⚕️
Forca Erion, sot ke pranë shumë miq dhe ne jemi me ty🤗
Fraksion.com