AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Jimmy Carter mbush sot 95 vjet

Ish-Presidenti amerikan Jimmy Carter mbush 95 vjeç më 1 tetor. Ai konsiderohet si presidenti më jetëgjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Siç raporton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh, zoti Carter, i ka kaluar momentet historike duke u angazhuar me të rinjtë ndërsa vazhdon të punojë për të përmbushur objektivat e tij për sa kohë që është gjallë.

Pas katër vitesh luftë me sëmundjen e kancerit, e pas katër muajsh nga një rrëzim që i kërkoi terapi të vazhdueshme fizike, ish-Presidenti Jimmy Carter nuk tregon asnjë shenjë lodhjeje apo dhimbje. Ai qëndron pa ndihmën e askujt dhe i përgjigjet pyetjeve të studentëve në një aktivitet në universitin Emory, ku ai merr pjesë çdo vit, tashm prej 38 vitesh.

“Mendoj se ka një problem kur ne i mbivlerësojmë figurat politike, por kam shumë respekt për Jimmy Carterin”, thotë Gian-Luigi Zaninelli, student i universitetit Emory.

Gian-Luigi Zaninelli, i cili merr pjesë për herë të parë në një bashkëbisedim të kësaj natyre në universitet, thotë se erdhi me një mendje të hapur për presidentin democrat, që ka shërbyer në këtë zyrë për një mandat të plotë.

“Kam dëgjuar shumë konservatorë të cilët janë jashtëzakonisht kritikë ndaj Jimmy Carter-it”, thotë ai.

Por student Zaninelli thotë se kjo vjen për shkak të periudhës së trazuar gjatë kohës kur zoti Carter qëndronte në Shtëpinë e Bardhë katër dekada më parë, kur ai nuk kishte lindur ende.

“Për shkak të punës së mirë që ai ka bërë prej më shumë se 30 vitesh, kemi një mendim shumë të mirë për atë si njeri. Ajo që është e padiskutueshme është se Jimmy Carter kujdeset për njerëzit dhe i është përkushtuar shërbimit ndaj të tjerëve”.

“Unë ende i përmbahem këshillave që më ka dhënë drejtori i shkollës: duhet t’u përshtateni ndryshimeve që vijnë me kohën dhe koha po ndryshon, por duhet që t’i përmbaheni edhe atyre parimeve që nuk ndryshojnë kurrë. Ndaj unë kam besim tek këto parime, sikurse të thuash të vërtetën e t’u vish në ndihmë të tjerëve”, thotë ish-Presidenti Jimmy Carter.

Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, 95-vjeçari fitues i çmimit Nobel për Paqen, thotë se më në fund, mosha po bën të vetën.

“Udhëtoja drejt Afrikës tre ose katër herë në vit dhe gjithmonë shkoja në Kinë e kështu me radhë. Tashmë i ka rralluar udhëtimet, por ende vazhdoj punën me qendrën Carter”.

Një qendër të cilën ai e drejton sëbashku me gruan e tij Rosalynn, në përpjekje për paqe, luftë ndaj sëmundjeve e ndërtim shpresë në të gjithë botën përmes programeve që përfshijnë monitorim zgjedhjesh apo dhe çrrënjosjen e një sëmundje që vjen nga një krimb i veçantë në Guinea.

Por pengesat e fundit, përfshirë rastet e reja të transmetimit të krimbit mes qenve, mund të rrezikojnë objektivin e tij për shfarrosjen e sëmundjes përgjatë gjithë viteve të mbetura të jetës së tij.

“Kemi parandaluar rreth 80 milionë njerëz që të preken nga krimbi i Guinesë, të cilët kishin shumë shanse të prekeshin prej tij. Kemi bërë përparim domëthënës shumë, por kemi edhe pak punë për të bërë”.

“Presidenti Carter është një lloj shenjtori laik i Amerikës së sotme”, thotë Joseph Crespino, profesor i Historisë, universiteti Emory.

Profesori i historisë në universitetit Emory, Joe Crespino, thotë se zoti Carter ka vendosur një standard të lartë mbi atë çka pritet nga një president amerikan pasi lë detyrën.

“Jetëgjatësia e tij, angazhimi i tij për të bërë sa më shumë të jetë e mundur për sa kohë është gjallë, është një model i mrekullueshëm, jo vetëm për bashkëkombasit e tij, por edhe për njerëzit në mbarë botën”.

Një botë që është transformuar pjesërisht edhe falë punës që Presidenti Carter dhe zonja e tij do të vazhdojnë të bëjnë, për aq kohë sa munden./voa

 

Fraksion.com